**Shpërthim në Aqarevë: Policia jep detaje, 13-vjeçari i plagosur lëshohet nga spitali**

Policia e Kosovës ka bërë të ditur detaje të reja lidhur me një shpërthim të ndodhur në fshatin Aqarevë të Skenderajt, më 5 prill 2026, rreth orës 15:00.

Sipas njoftimit të policisë, rasti është cilësuar si “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”. Një i dyshuar, shtetas i Kosovës, dyshohet se kishte ndezur një zjarr, si pasojë e të cilit kanë shpërthyer dy bombola gazi.

Nga ky shpërthim, lëndime trupore ka pësuar një i mitur 13-vjeçar, i cili menjëherë u dërgua për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Pas marrjes së ndihmës së nevojshme mjekësore, ai është liruar dhe është kthyer në shtëpi.

Me vendim të prokurorit, dhe pas intervistimit të të dyshuarit, rasti do të vazhdojë të trajtohet në procedurë të rregullt ligjore.