Shtëpia e Bardhë njoftoi më 23 tetor se Ukraina dhe Rusia kanë rënë dakord për një armëpushim humanitar në qytetin Oleshki të Ukrainës. Sipas administratës së presidentit amerikan Donald Trump, kjo marrëveshje u arrit me ndërmjetësimin e zonjës së parë të SHBA-së, Melania Trump.

Të dyja palët janë zotuar të ndërpresin përkohësisht të gjitha veprimet luftarake në Oleshki, me qëllim dërgimin e ndihmave humanitare dhe evakuimin e civilëve përmes një korridori të sigurt. Armëpushimi lokal pritet të nisë më 29 tetor.

Melania Trump e përshkroi situatën në Oleshki si kritike, duke theksuar se atje kanë mbetur civilë, kryesisht të moshuar, të cilët kanë nevojë urgjente për ndihmë mjekësore, ilaçe, ushqim dhe ujë të pijshëm. Sipas Shtëpisë së Bardhë, zonja e parë drejtoi negociatat me të dyja palët, duke koordinuar objektivat, procedurat teknike, oraret dhe kushtet e marrëveshjes.

Parashikohet që përfaqësues civilë nga Rusia dhe Ukraina do të vizitojnë bashkërisht banorët e Oleshkit në shtëpitë e tyre për të vlerësuar nevojat specifike. Atyre që dëshirojnë të evakuohen do t’u ofrohet mbështetje dhe transport, me mundësinë për të shkuar në Rusi ose në Ukrainë, sipas zgjedhjes së tyre. Një organizatë e pavarur mediatike amerikane, emri i së cilës nuk u bë i ditur, do të shoqërojë këtë mision.

Megjithatë, deri më tani, as Ukraina dhe as Rusia nuk kanë konfirmuar zyrtarisht armëpushimin humanitar. Shërbimi ukrainas i Radios Evropa e Lirë i është drejtuar për koment Avokatit të Popullit të Ukrainës, Dmytro Lubinets.

Ky njoftim vjen pas paralajmërimit të disa ditëve më parë nga Davyd Arakhamia, kreu i grupit parlamentar të partisë “Shërbëtori i Popullit”, për një “lajm të mirë” lidhur me krizën humanitare në Oleshki.

Oleshki, e ndodhur në rajonin e Hersonit, u pushtua nga Rusia në fillim të pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës, në shkurt të vitit 2022. Qyteti gjendet në bregun e majtë të lumit Dnipro, i cili aktualisht shërben si kufi natyror mes pjesës së kontrolluar nga Ukraina dhe asaj të pushtuar të rajonit.

Sipas Administratës Ushtarake Rajonale të Hersonit, rreth 2.000 persona, përfshirë gati 50 fëmijë, kanë mbetur në Oleshki. Kjo administratë pretendon se forcat ruse pengojnë dërgimin e ndihmave dhe u mohojnë banorëve mundësinë për t’u larguar. Përpjekjet e mëparshme të organizatave ndërkombëtare për të arritur një marrëveshje evakuimi me autoritetet ruse nuk kanë dhënë rezultate.