**Shtetet e BE-së Kërkojnë Rregulla më të Ashpra për Refuzimin e Vizave Turistike për Rusët**

Një numër shtetesh anëtare të Bashkimit Evropian po ushtrojnë presion mbi Komisionin Evropian për të hartuar një legjislacion që do të lehtësonte refuzimin e vizave turistike për qytetarët rusë. Kjo kërkesë vjen si pasojë e pushtimit të plotë të Ukrainës nga Moska.

Suedia do ta ngrejë këtë çështje për diskutim, e mbështetur nga Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Letonia, Lituania dhe Holanda, si dhe nga Islanda dhe Norvegjia – vende të zonës Shengen që nuk janë pjesë e BE-së. Kjo do të ndodhë në takimin e rregullt mujor të ministrave të Brendshëm të bllokut, më 4 qershor në Luksemburg.

Para takimit, këto vende i dërguan gjithashtu një letër Komisionit Evropian, duke shprehur shqetësimin e tyre.

Sipas tekstit, të cilit i është referuar Radio Evropa e Lirë (REL), është “thellësisht shqetësuese të shohësh një numër në rritje turistësh rusë që shijojnë pushimet në plazhet dhe resortet evropiane, ndërkohë që raketat dhe dronët vazhdojnë t’i godasin civilët dhe infrastrukturën civile në Ukrainë”.

“Kjo bëhet edhe më e dhimbshme, duke pasur parasysh se mijëra fëmijë ukrainas të dëbuar ilegalisht dhe të zhvendosur me forcë nuk mund të kthehen te familjet e tyre,” thuhet në dokument.

Kjo çështje po ngrihet në një kohë kur statistikat e BE-së, të cilave u është referuar REL, tregojnë një rritje të numrit të vizave turistike të zonës Shengen të lëshuara për rusët gjatë vitit të fundit, duke arritur në gati 480.000. Ky është numri më i lartë që nga nisja e pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.

Nuk pritet që legjislacioni i ri të miratohet menjëherë, çka nënkupton se nuk ka gjasa të ketë ndryshime përpara sezonit veror, kur lëshohet shumica e vizave turistike. Përkundrazi, pritet që një propozim të paraqitet më vonë gjatë këtij viti dhe të miratohet në vitin 2027.

Megjithatë, ky proces nuk do të jetë aspak i lehtë. Tre shtetet anëtare të BE-së që lëshojnë më së shumti viza turistike për rusët janë Franca, Italia dhe Spanja. Në këto vende, turizmi kontribuon ndjeshëm në ekonomitë kombëtare.

Edhe pse një ligj i mundshëm i BE-së kërkon vetëm shumicë të thjeshtë (55 për qind të shteteve anëtare që përfaqësojnë 65 për qind të popullsisë së përgjithshme të bllokut), pesha e konsiderueshme e këtyre tre vendeve së bashku nënkupton se atyre u nevojitet vetëm mbështetja e një shteti tjetër anëtar për të bllokuar çdo masë të propozuar.

Një alternativë mund të jetë paraqitja e një legjislacioni të përgjithshëm, i cili do t’u lejonte shteteve anëtare – të cilat gëzojnë autonomi të gjerë në çështjet kombëtare – të refuzojnë viza turistike për qytetarët e çdo vendi që shkel të drejtat e njeriut. Me fjalë të tjera, kjo masë nuk do të përmendte apo veçonte specifikisht Rusinë.

Deri tani, Komisioni Evropian ka nxjerrë vetëm udhëzime për shtetet anëtare lidhur me kufizimin e udhëtimeve jo-thelbësore drejt BE-së nga qytetarët rusë. Vendet fqinje me Rusinë, si Estonia, Finlanda, Letonia dhe Lituania, i kanë shfrytëzuar tashmë këto udhëzime për të ndaluar pothuajse plotësisht lëshimin e vizave për rusët, me përjashtime për viza humanitare si për gazetarë dhe politikanë opozitarë, aktivistë të shoqërisë civile dhe individë me nevoja të veçanta mjekësore.

Pikërisht këto udhëzime, vendet nënshkruese të dokumentit shpresojnë t’i shndërrojnë në një formë më të qëndrueshme dhe të unifikuar, siç do të ishte një legjislacion i vlefshëm në të gjithë BE-në.

“Zbatimi i pabarabartë i këtyre udhëzimeve nga shtetet anëtare lë shumë mangësi, pasi i mungojnë si solidariteti ashtu edhe qëndrueshmëria. Gjithashtu, rrezikon të vendosë shtetet anëtare në pozita të pabarabarta ekonomike,” thuhet në dokument.

Dokumenti shton gjithashtu se “një situatë ku shtetet anëtare zbatojnë qasje thellësisht të ndryshme për lëshimin e vizave për udhëtime jo-thelbësore, jo vetëm nxit të ashtuquajturin ‘turizëm vizash’, por përbën edhe një rrezik sigurie për të gjithë zonën Shengen.”

Në vjeshtën e vitit 2022, BE-ja e vështirësoi hyrjen e rusëve në bllok, duke pezulluar për një kohë të pacaktuar marrëveshjen për lehtësimin e vizave midis Brukselit dhe Moskës, e cila kishte vendosur rregullat e udhëtimit që nga viti 2007. Ky pezullim nënkuptonte se nuk duhej të lëshoheshin më viza me hyrje të shumëfishta, se tarifa e vizës u rrit nga rreth 35 euro në 90 euro dhe se u kërkuan më shumë dokumente, si dhe u zgjat koha e shqyrtimit të aplikimeve.

Në një lëvizje të veçantë, por të lidhur me këtë çështje, Estonia po u bën thirrje shteteve të tjera anëtare të BE-së që të përpiqen t’u ndalojnë hyrjen në zonën Shengen veteranëve rusë të luftës në Ukrainë, duke hartuar lista të gjera personash që do t’i nënshtroheshin ndalimeve të hyrjes në të gjithë Evropën./REL/