**Afati për aplikim në Programin e Pagesave Direkte shtyhet deri më 31 korrik për fermerët e Podujevës**

Fermerët e Komunës së Podujevës do të kenë edhe dhjetë ditë shtesë për të aplikuar në Programin e Pagesave Direkte, pasi afati është shtyrë deri më 31 korrik.

Komuna e Podujevës njoftoi se aplikimet bëhen në zyrën numër 31 të objektit të vjetër të administratës komunale. Gjatë kësaj periudhe të zgjatur, fermerët do të kenë mundësi të aplikojnë edhe të shtunave, nga ora 08:00 deri në 16:00.

Përmes këtij programi, fermerët mund të përfitojnë mbështetje në disa fusha, si:
* Pagesa bazë për të ardhurat nga sipërfaqet bujqësore të pranueshme;
* Pagesa rishpërndarëse për fermat e vogla dhe të mesme, si dhe për fermerët e rinj;
* Pagesa të lidhura me prodhimin dhe cilësinë për sektorët prioritarë të bujqësisë;
* Eko-skema për prodhimin organik dhe praktikat e qëndrueshme bujqësore.

Komuna thekson se gjatë aplikimit, fermerët duhet të deklarojnë me saktësi gjendjen reale të fermës, përfshirë të gjitha sipërfaqet, kulturat bujqësore, kafshët, kosheret dhe prodhimin.

Blegtorët, ndërkaq, duhet të sigurohen që kafshët e tyre janë identifikuara dhe regjistruara në përputhje me kërkesat ligjore.

Për informata shtesë, fermerët mund të kontaktojnë Drejtorinë për Bujqësi të Komunës së Podujevës, ose të konsultojnë kanalet zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë dhe Agjencisë për Zhvillimin e Bujqësisë.