Mjekët po u bëjnë thirrje prindërve të tregohen më të kujdesshëm pas një rasti në Britani, ku një djalë i vogël u diagnostikua me erythema ab igne (EAI), një gjendje e njohur edhe si “toasted skin syndrome” apo “sindroma e lëkurës së ekspozuar ndaj nxehtësisë”.

Gjendja shkaktohet nga ekspozimi i zgjatur ndaj burimeve të nxehtësisë me intensitet të ulët dhe zakonisht shfaqet si një skuqje me ngjyrë të kuqe ose kafe, me pamje karakteristike në formë rrjete.

Edhe pse më shpesh lidhet me përdorimin e shisheve me ujë të nxehtë apo jastëkëve termikë, në rastin e fundit shkaku ishte një laptop.

Fëmija e mbante pajisjen mbi bark deri në tetë orë në ditë, duke ekspozuar vazhdimisht lëkurën ndaj nxehtësisë së prodhuar prej saj.

Një studim i vitit 2025 tregoi se rreth një në pesë fëmijë kalojnë të paktën shtatë orë në ditë duke përdorur telefona dhe tableta, ndaj mjekët po paralajmërojnë prindërit për rreziqet e ekspozimit të zgjatur të lëkurës ndaj pajisjeve elektronike.

Pse quhet “toasted skin syndrome”?

Ndryshe nga një djegie klasike, kjo gjendje mund të shkaktohet edhe nga një temperaturë relativisht e ulët, nëse ekspozimi vazhdon për shumë kohë.

Emërtimi vjen nga mënyra se si duket lëkura pas ekspozimit të përsëritur ndaj nxehtësisë.

Me kalimin e kohës, nxehtësia prek enët e vogla të gjakut në lëkurë, duke krijuar njolla të kuqe, kafe ose të përziera, shpesh me një model që ngjan me rrjetë.

Farmacistja dhe komentatorja shëndetësore Thorrun Govind shpjegon se një nga arsyet pse njerëzit mund të mos e kuptojnë menjëherë problemin është fakti se kjo gjendje nuk shkakton gjithmonë dhimbje.

“Disa persona mund të përjetojnë kruajtje, djegie ose ndjeshmëri, ndërsa të tjerët vënë re vetëm ndryshimin në pamjen e lëkurës”, thotë ajo.

Rasti i fëmijës në Britani

Sipas një raporti të publikuar në BMJ Case Reports, djali ishte paraqitur fillimisht në urgjencën pediatrike për atë që dukej si “mavijosje spontane”.

Ai ishte në gjendje të mirë shëndetësore dhe nuk kishte histori traume, sëmundjeje apo simptoma të tjera si temperaturë, humbje peshe apo lodhje.

Pas disa kontrolleve, u largua nga spitali.

Megjithatë, disa javë më vonë u rikthye, pasi shenjat në lëkurë ishin përkeqësuar dukshëm.

Pas pyetjeve të mëtejshme, mjekët zbuluan se djali mësonte nga shtëpia dhe shpesh e mbante laptopin mbi bark deri në tetë orë në ditë, në shumë raste edhe gjatë kohës që pajisja ishte në karikim.

Pas ndërprerjes së ekspozimit ndaj nxehtësisë, skuqja u zhduk plotësisht.

A janë fëmijët më të rrezikuar?

Ekspertët që analizuan rastin theksuan rëndësinë e njohjes së kësaj gjendjeje te fëmijët, veçanërisht në një periudhë kur përdorimi i pajisjeve elektronike po rritet.

Diagnostikimi i hershëm mund të shmangë keqinterpretimin e simptomave dhe ekzaminimet e panevojshme.

Thorrun Govind thotë se ende nuk ka prova të mjaftueshme për të pohuar se kjo gjendje po bëhet më e shpeshtë te fëmijët dhe adoleshentët, por prindërit duhet të jenë të vetëdijshëm për rrezikun.

“Te fëmijët e vegjël duhet të jemi edhe më të kujdesshëm. Ata mund të mos e kuptojnë që një pajisje është shumë e nxehtë ose të mos dinë t’i tregojnë një të rrituri se po ndiejnë parehati në lëkurë”, shpjegon ajo.

Sipas saj, zakonet tona në përdorimin e teknologjisë kanë ndryshuar ndjeshëm dhe kjo është një arsye më shumë për të shmangur kontaktin e drejtpërdrejtë dhe të zgjatur të pajisjeve të nxehta me lëkurën.

Teknologjia mund të ndikojë edhe në shëndetin fizik

Fëmijët e gjeneratës Alpha kalojnë një pjesë të konsiderueshme të kohës duke përdorur telefona, tableta dhe pajisje të tjera elektronike.

Një studim i fundit tregoi se rreth një e katërta e fëmijëve britanikë të lindur pas vitit 2010 do të preferonin të kalonin kohë me pajisjet elektronike sesa të shoqëroheshin fizikisht me bashkëmoshatarët e tyre.

Përveç ndikimit që teknologjia mund të ketë në mirëqenien emocionale dhe mendore të fëmijëve, ekspertët po kërkojnë më shumë vëmendje edhe ndaj efekteve të mundshme fizike.

Çfarë duhet të bëjnë prindërit?

Nëse vëreni te fëmija një skuqje që mund të jetë shkaktuar nga ekspozimi i zgjatur ndaj nxehtësisë, rekomandohet që burimi i nxehtësisë të largohet menjëherë.

Zona duhet mbajtur e hidratuar dhe e mbrojtur.

Nëse ndryshimet e ngjyrës së lëkurës vazhdojnë ose gjendja shkakton shqetësim, këshillohet konsultimi me mjekun ose dermatologun. /GazetaExpress/