Zëdhënësi i Qeverisë së Republikës së Kosovës, Fatlum Jashari, ka deklaruar se çmimi prej 2 euro e 3 centësh në për litër nafte është çmim që e do opozita, dhe jo e vërteta në terren.
Në një postim, duke përkuar me diskutimin e sotëm që u zhvillua në seancë të jashtëzakonshme në Kuvend, Jashari u shpreh se një litër naftë, me kufizimin e marzhës nga Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë, Tregtisë dhe Inovacionit, sot mund të shitet maskimalisht për 1 euro e 83 centë, transmeton IndeksOnline.
“Është çmim i lartë, padyshim. Kosova nuk është imune nga kriza globale. Por, është 20 centë për litër më i ulët se sa po thonë PDK e LDK” shkroi Jashari.
Sipas tij, opozita po përpiqet të krijojë panik artificial dhe kjo është “qëllimkeqe dhe e rrezikshme”.
“Përpjekjet për krijim të panikës artificiale me dëshira që paraqiten si realitet, janë qëllimkëqija dhe të rrezikshme. Krijimi i një gënjeshtre, që përdoret si armë politike ndaj Qeverisë dhe në dëm të xhepit të qytetarit, është dëshmi se ajo që pamë sot në Kuvend ishte farsë, e jo përpjekje e sinqertë për zgjidhje” përfundoi Jashari.
