**Rritet ndjeshëm çmimi i kurbanit në Kosovë, arrin deri në 400 euro**
Çmimi i kurbanit në Kosovë ka njohur një rritje të ndjeshme këtë vit, duke arritur deri në 400 euro për therjen e një kafshe. Kjo rritje vjen si pasojë e inflacionit të përgjithshëm në treg dhe kostove më të larta të ushqimit për bagëti.
Fermerët theksojnë se shtrenjtimi i ushqimit për kafshë ka rritur ndjeshëm kostot e mbajtjes së bagëtive. Fermeri Adhurim Berisha, për KosovaPress, shpjegon se në fermën e tij çmimet e kurbaneve variojnë nga 220 deri në 400 euro, çmim ky që përfshin edhe therjen. Ai thekson se rritja nuk është drastike krahasuar me vitin e kaluar, por thekson se çmimi i një balle (dëngu) sane ka arritur në 5 euro sivjet, nga 1.5-2 euro sa ishte një vit më parë. Gjithashtu, rritja e çmimeve të drithërave ka kontribuar në këtë situatë. Çmimet ndryshojnë varësisht nga lloji dhe pesha e kafshës.
Edhe Bashkësia Islame e Kosovës (BIK) ka rritur çmimin për therjen e një kurbani, duke e çuar atë në 200 euro këtë vit, nga 180 euro sa ishte vitin e kaluar.
Organizatat humanitare paralajmërojnë se kjo situatë po e vështirëson mundësinë e familjeve dhe donatorëve për të kryer obligimin e kurbanit gjatë festës së Kurban Bajramit. Lavdim Gashi, menaxher në organizatën “Islamic Relief Kosova”, e cila prej 26 vitesh shpërndan mish kurbani për familjet me jetimë dhe ato në asistencë sociale, thekson se rritja e çmimeve është pasojë e rritjes së përgjithshme në treg dhe kërkesës së lartë për kafshë, jo vetëm në Kosovë por edhe globalisht. Ai pranon se shuma prej 200 eurosh nuk është e vogël për donatorët. Gashi shpjegoi gjithashtu procedurat strikte që ndjek organizata për identifikimin e familjeve përfituese dhe kontrollin e mishit para shpërndarjes.
Therja e kurbanit është një nga ritualet më të rëndësishme fetare në Islam, që kryhet gjatë festës së Kurban Bajramit, në shenjë bindjeje, sakrifice dhe afrimi ndaj Zotit. Ky ritual lidhet me ngjarjen e profetit Ibrahim. Për myslimanët, therja e kurbanit simbolizon devotshmërinë, solidaritetin dhe ndihmën për familjet në nevojë, pasi mishi i kurbanit shpërndahet për të afërmit, fqinjët dhe shtresat sociale me kushte më të vështira ekonomike. Këtë vit, festa e Kurban Bajramit në Kosovë është më 27 maj.
