Gjykata Speciale ka vendosur për zgjatjen e paraburgimit ndaj Hashim Thaçit në rastin ndaj tij dhe të tjerëv e në çështjen gjyqësore kundër administrimit të drejtësisë.

Specialja vendosi që ish-presidenti i Kosovës të mbetet në paraburgim, ndonëse konstatoi se ai nuk paraqet rrezik arratisjeje.

Vendimi u mor pas rishikimit periodik të masës së paraburgimit.

Në arsyetim, gjyqtari Christopher Gosnell vlerëson se Thaçi ka lidhje të forta familjare dhe shoqërore me Kosovën, se dorëzimi i tij vullnetar në Hagë në vitin 2020 tregon se ai nuk ka prirje të arratiset dhe se garancia financiare prej 50 mijë eurosh e ofruar nga familjarët e tij përbën një faktor shtesë kundër një rreziku të tillë.

“Së dyti, garancia financiare prej 50.000 eurosh e ofruar nga familjarët dhe miqtë, e cila do të konfiskohej në rast të mosparaqitjes në procedurë, e zvogëlon më tej një rrezik të tillë. Gjyqtari i Vetëm i Trupit Gjykues është i bindur se kjo është një shumë e konsiderueshme, e ofruar nga persona mjaftueshëm të afërt me z. Thaçi, për të përbërë një faktor të rëndësishëm dekurajues kundër arratisjes”, thuhet ndër tjerash në vendim.

Megjithatë, gjykatësi vlerëson se vazhdojnë të ekzistojnë rreziqe reale që Thaçi mund ta pengojë zhvillimin e procedurave gjyqësore ose të kryejë vepra të tjera penale që lidhen me administrimin e drejtësisë.

Prokuroria dhe Mbrojtja e Thaçit kanë argumentuar në lidhje me rrezikun e pengimit në procesin e drejtësisë dhe kryerjen e veprave të tjera penale.

Gjykata vlerëson se “ekziston një rrezik real” që Thaçi të kryejë “vepra të tjera penale”.

“Gjyqtari i Vetëm i Trupit Gjykues kujton se arsyet që mbështesin konstatimin se ekziston një rrezik real i pengimit të procedurave mbështesin po ashtu edhe konstatimin se ekziston një rrezik real që vepra të tjera penale të pretenduara të kryhen për këtë qëllim”, thuhet në vendim.

Gjykatësi tha se është “i bindur për ekzistencën e rreziqeve”, sipas disa neneve, të cilat tha se “justifikojnë vendimin e paraburgimit të z. Thaçi”.