Futbolli çek është përfshirë në një skandal të thellë manipulimi ndeshjesh, vetëm pak ditë para një ndeshjeje kyçe të kombëtares në play-offin e Kupës së Botës.
Federata e Futbollit e Republikës Çeke (FACR) njoftoi të martën se ka nisur 47 procedura disiplinore. Këto procedura, që ndjekin një seri bastisjesh të zhvilluara në orët e para të mëngjesit, përfshijnë lojtarë, zyrtarë klubesh dhe gjyqtarë, të cilët dyshohen për ryshfet dhe kurdisje ndeshjesh.
Martin Holub, kryetari i komisionit të etikës të FACR, konfirmoi se shumica e lojtarëve të dyshuar janë pezulluar përkohësisht nga aktivitetet konkurruese. Ai theksoi se komisioni po bashkëpunon ngushtë me Policinë Çeke për të vijuar hetimet dhe për të planifikuar hapat e mëtejshëm.
Operacioni policor, sipas burimeve, është përqendruar kryesisht në rajonin e Moravisë dhe ka përfshirë bashkëpunimin me organizata ndërkombëtare si Europol, Interpol dhe Njësinë e UEFA-s kundër Manipulimit të Ndeshjeve.
UEFA, nga ana e saj, deklaroi se nuk do të komentojë hetimet në këtë fazë, për të ruajtur integritetin e procesit.
Ndërkohë, kombëtarja çeke do të përballet me Republikën e Irlandës të enjten mbrëma, në “Fortuna Arena”. Fituesi i këtij dueli do të luajë më pas kundër Danimarkës ose Maqedonisë së Veriut, në një ndeshje vendimtare për kualifikimin në Kupën e Botës 2026, që do të mbahet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.
