Indonezi: Incidente helmimi masiv prekin gati 800 persona nga programi qeveritar i vakteve falas
Gati 800 indonezianë, mes tyre mbi 500 studentë në provincën e Javas Lindore, janë prekur këtë javë nga raste të shumta helmimi ushqimor, të lidhura me programin qeveritar të vakteve falas. Lajmin e konfirmoi një anëtar i komisionit parlamentar mbikëqyrës për shëndetësinë.
Programi, me vlerë disa miliardë dollarë, u nis vitin e kaluar nga Presidenti Prabowo Subianto me synimin për të luftuar kequshqyerjen duke ofruar vakte falas për dhjetëra miliona fëmijë. Megjithatë, ai është shoqëruar me polemika të shumta, përfshirë helmimet masive ushqimore, akuza për korrupsion, ndryshime në drejtim dhe çmime të larta.
Sipas Charles Honoris, ligjvënës dhe anëtar i vetmes parti politike opozitare jashtë koalicionit qeverisës, i cili publikoi të dhënat në Instagram, përveç 512 studentëve të prekur në regjencën Sidoarjo të Javas Lindore, 49 persona u helmuan në qytetin Nganjuk, po në Javan Lindore, dhe 237 në regjencën Agam të Sumatrës Perëndimore.
Honoris citoi shifra nga departamentet lokale të shëndetësisë për të mbështetur deklaratat e tij dhe theksoi se këto nuk ishin incidente të izoluara.
“Ky është një dështim i sistemit,” deklaroi ai.
Agjencia Kombëtare e Ushqimit, mbikëqyrëse e programit me vlerë 12.94 miliardë dollarë, nuk iu përgjigj menjëherë kërkesës për koment mbi deklaratat e ligjvënësit. Megjithatë, të mërkurën, ajo pezulloi aktivitetin në një kuzhinë që ofronte ushqim për të varfrit, e lidhur me rastin e Sidoarjo-s.
Rrjeti për Vëzhgimin e Arsimit, një organizatë joqeveritare monitoruese, raporton se ka pasur incidente të shumta helmimi ushqimor të lidhura me programin e vakteve falas, duke prekur gjithsej 37,600 persona që nga 8 gushti.
Autoritetet kanë theksuar se magazinimi jo i duhur i ushqimit dhe vonesat në shpërndarjen e vakteve të gatuara janë shpesh shkaktarë të helmimeve ushqimore.
Një anketë e realizuar në korrik nga Saiful Mujani Research and Consulting zbuloi se vetëm një e treta e popullsisë ishte e kënaqur me programin, ndërsa rastet e raportuara të helmimit u përmendën si arsyeja kryesore e pakënaqësisë.
