Ndeshja mes Real Madridit dhe Sevillas, e fituar nga madrilenët me rezultat 4-1, vazhdon të shkaktojë polemika për vendimet e gjyqtarëve dhe pamjet televizive të aksioneve të diskutueshme.

Në qendër të debatit janë dy situata: një goditje e dyshuar me bërryl nga Arda Güler ndaj Peque, kur rezultati ishte 0-0, si dhe një ndërhyrje e mundshme e Konaté ndaj Ure para golit të dytë të Real Madridit, të shënuar nga Kylian Mbappé.

Për këtë çështje ka folur Sergio Carranza, përgjegjësi i realizimit televiziv të LaLigës, i cili më parë ka punuar për më shumë se pesë vjet në Real Madrid TV, nga janari i vitit 2005 deri në shtator të vitit 2010.

Duke folur në emisionin “El Partidazo de COPE”, Carranza shpjegoi se ndeshja ishte transmetuar me 26 kamera, por 15 prej tyre fokusoheshin në plane të afërta, përcjell “Gazeta Express”.

Sipas tij, prioriteti i kamerave është ndjekja e topit, ndërsa në momentin e incidentit me Gülerin, topi ndodhej të paktën 30 metra larg aksionit të diskutueshëm.

Megjithatë, deklarata e tij për mungesën e përsëritjes televizive shkaktoi vëmendje të veçantë.

“Mund të ishte vlerësuar mundësia për ta dhënë atë përsëritje, por në atë moment u vendos të mos jepej dhe të transmetohej goli”, deklaroi Carranza.

Ai shtoi se ishte një vendim editorial i ekipit të realizimit, pasi ishte interpretuar se situata ishte zgjidhur dhe se gjyqtari nuk e kishte konsideruar ndërhyrjen si faull.

“Ne punojmë pa asnjë lloj presioni. Nuk kemi urdhra se çfarë duhet të transmetojmë dhe çfarë jo. Është për të ardhur keq të dëgjosh se po i fshehim përsëritjet”, theksoi ai.

Carranza foli edhe për ndërhyrjen e mundshme të Konatés ndaj Ures, para golit të Mbappés.

Sipas tij, ekipi i realizimit vendos se cilat kënde të kamerave duhen transmetuar, duke pasur si prioritet rrjedhën e drejtpërdrejtë të ndeshjes.

Ai shpjegoi se, meqë gjyqtari kishte lejuar vazhdimin e lojës dhe më pas erdhi goli, ekipi kishte vazhduar me transmetimin e golit.

Nëse VAR-i do ta kishte ndalur ndeshjen për ta shqyrtuar aksionin, atëherë pamjet do të ishin kërkuar dhe transmetuar.

Pavarësisht shpjegimeve, polemikat pas fitores së Real Madridit ndaj Sevillas vazhdojnë, ndërsa mungesa e përsëritjeve të qarta për dy aksionet e diskutueshme ka shtuar pyetjet rreth mënyrës së realizimit televiziv të ndeshjeve të LaLigës. /Gazeta Express