Sot mbyllet afati i fundit kushtetues për konstituimin e Kuvendit. Nga ky institucion ende nuk është njoftuar se kur do të vazhdojë seanca e nisur të enjten, e cila ka për qëllim konstituimin e legjislaturës së 11-të.

Seanca, e cila filloi një ditë më parë, u ndërpre me kërkesën e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti. Ai kërkoi kohë shtesë për zhvillimin e diskutimeve me përfaqësuesit e partive, me synimin për të arritur një marrëveshje lidhur me çështjen e presidentit.

Kërkesa e zotit Kurti shkaktoi reagime të shumta nga ligjvënësit e Partisë Demokratike. Pavarësisht kundërshtimeve, kryesuesi i seancës, Avni Dehari, i cili është deputet i Vetëvendosjes, vendosi të ndërpresë punimet e saj.

Megjithatë, përpara ndërprerjes së seancës, ishin arritur të përfundoheshin dy pikat e para të rendit të ditës: formimi i komisionit për verifikimin e mandateve të deputetëve dhe betimi i tyre.

Pas konstatimit të vlefshmërisë së mandateve të ligjvënësve të zgjedhur, ata dhanë betimin. Këtë veprim e kryen edhe deputetët e Listës Serbe, subjekt politik i cili mbështetet nga Beogradi zyrtar.