Mbi 5,000 vdekje të shkaktuara nga nxehtësia janë regjistruar në Spanjë nga 1 qershori deri më 31 gusht të këtij viti. Ky numër është rekord për këtë periudhë, që prej vitit 2015 kur Instituti Shëndetësor Carlos III nisi të mbledhë këto të dhëna. Ndërkohë, vala e nxehtësisë vazhdon të prekë Evropën.
Ky institut publik, me qendër në Madrid, i vuri në llogari nxehtësisë 2,149 vdekje në gusht, 2,025 në korrik dhe 937 në qershor, duke arritur në total 5,111 vdekje gjatë këtyre tre muajve, sipas të dhënave paraprake të marra nga Agence France-Presse.
Rekordi i mëparshëm për këtë tremujor ishte shënuar në vitin 2022, me 4,652 vdekje të shkaktuara nga nxehtësia.
Këto vlerësime mbështeten te sistemi i njohur si MoMo (Monitorimi i Vdekshmërisë), i cili mbledh të dhënat për numrin e vdekjeve në Spanjë në baza ditore dhe llogarit ndryshimin mes vdekjeve të regjistruara dhe atyre të parashikuara, bazuar në të dhënat historike. Ai përfshin gjithashtu faktorë si temperaturat e publikuara nga Shërbimi Kombëtar Meteorologjik (Aemet).
Ashtu si pjesa më e madhe e Evropës, Spanja po kalon këtë vit një verë veçanërisht të nxehtë, me valë të njëpasnjëshme të nxehtësisë ekstreme.
Vendi parashikohet të përjetojë një rritje të re të ndjeshme të temperaturave në ditët në vijim, “pas disa ditësh freskie relative për këtë periudhë të vitit në shumë zona,” theksoi Aemet gjatë fundjavës.
**Valë e re nxehtësie në Francë**
Zonat e Francës jugore pritet gjithashtu të preken nga një valë e re nxehtësie, ku temperaturat, sipas vlerësimeve të shërbimit meteorologjik francez, parashikohet të kalojnë 35°C.
Temperaturat e larta do të prekin edhe Francën qendrore dhe Parisin, duke tejkaluar 30°C në disa zona.
Sipas shërbimit meteorologjik francez, temperaturat e larta pritet të zgjasin të paktën deri të shtunën e ardhshme.
Nëse parashikimet konfirmohen, kjo do të jetë vala e katërt e nxehtësisë që godet Francën këtë verë.
