Studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut protestojnë sot në Shkup, duke kërkuar zbatimin e të drejtës për të dhënë provimet në gjuhën shqipe.
Besar Sejdiu, Kryetar i Parlamentit Studentor të Universitetit “Nënë Tereza” në Shkup, ka bërë thirrje për mbështetje të gjerë qytetare për protestën paqësore që do të mbahet të hënën në kryeqytetin e Maqedonisë së Veriut.
Protesta, e paralajmëruar të nisë në orën 12:30 nga Ura e Gurit, ka si qëllim kërkesën për të dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe. Kjo e drejtë, theksojnë studentët, është e garantuar me Kushtetutë dhe ligj, por ende nuk gjen zbatim praktik.
Sejdiu ka theksuar se moszbatimi i kësaj të drejte prej vitesh po krijon pengesa serioze për studentët shqiptarë, duke ndikuar drejtpërdrejt në avancimin e tyre akademik dhe profesional.
Ai e ka cilësuar këtë çështje si më shumë se sa një problem individual apo politik, duke theksuar se bëhet fjalë për një kauzë thelbësore që lidhet me barazinë dhe respektimin e të drejtave themelore.
Në këtë kontekst, ai u ka bërë thirrje qytetarëve, institucioneve dhe gjithë aktorëve shoqërorë të mbështesin dhe të marrin pjesë në protestë.
Organizatorët kanë theksuar se protesta do të zhvillohet në mënyrë paqësore dhe dinjitoze, me qëllim sensibilizimin e opinionit publik dhe adresimin e kërkesave të studentëve tek institucionet përkatëse.
