Sulmet ruse me raketa kanë goditur Kievin, duke lënë një të vrarë dhe dhjetë të plagosur. Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky ka deklaruar se objektivat e këtyre goditjeve ishin zona civile.

Një person ka humbur jetën dhe dhjetë të tjerë janë plagosur si pasojë e sulmeve me raketa ruse në kryeqytetin ukrainas, Kiev. Ky është bilanci paraprak i bërë publik nga kryebashkiaku Vitali Klitschko.

Goditjet prekën institucione universitare, ndërtesa banimi dhe infrastrukturë civile të qytetit, duke shkaktuar dëme të konsiderueshme. Ndërkohë, raportohet se disa persona mund të kenë mbetur nën rrënoja.

Kryebashkiaku Klitschko njoftoi se dëme janë konstatuar në një konvikt studentor dhe në një stacion metroje në lagjen Desnyanskyi, ndërsa në lagjen Dnipro janë goditur dy objekte shëndetësore.

Presidenti Zelensky, përmes një postimi në platformën X, theksoi se raketat balistike ruse goditën kompleksin universitar në Kiev dhe zonat përreth. Ai shtoi se mes objektivave të prekura ishin kampusi universitar, Parku i Kiotos, hapësirat pranë një stacioni metroje dhe ndërtesa banimi.

Zelensky vuri në dukje se bilanci përfundimtar i viktimave nuk është përcaktuar ende, por konfirmoi se sulmi ka shkaktuar viktima në njerëz. Ai theksoi gjithashtu se dëmet materiale janë të mëdha dhe se ekzistojnë dyshime për persona të bllokuar nën rrënoja.

Ekipet e kërkim-shpëtimit po vijojnë punën në terren, ndërsa të gjitha shërbimet e emergjencës janë angazhuar në zonat e goditura për të gjetur e shpëtuar të mbijetuarit.

Presidenti ukrainas akuzoi Rusinë se kishte goditur zona me densitet të lartë popullsie civile, ku, sipas tij, nuk ndodhen objekte ushtarake. “Raketat goditën zona me popullsi të dendur dhe nuk ka asnjë objekt ushtarak aty pranë”, deklaroi ai.

Zelensky e cilësoi ngjarjen si një sulm të drejtpërdrejtë ndaj Kievit dhe infrastrukturës së tij kritike.

Ai paralajmëroi për mundësinë e sulmeve të tjera, duke theksuar se goditjet ruse me dronë “Shahed” vazhdojnë kundër Kievit, si dhe ndaj qyteteve dhe komuniteteve të tjera në Ukrainë.