**Infarkti që i ndryshoi jetën, Antonio Banderas: “Duket paradoksale, por ishte gjëja më e mirë që më ka ndodhur”**
Aktori i njohur spanjoll, Antonio Banderas, ka folur hapur për infarktin që pësoi pothuajse një dekadë më parë, duke deklaruar se, sado paradoksale të tingëllojë, e konsideron atë si “gjënë më të mirë” që i ka ndodhur.
Aktori 66-vjeçar u rikthye te kjo përvojë e vështirë shëndetësore, të cilën e kaloi në vitin 2017. Ai shpjegoi se ajo e bëri të rishikonte prioritetet e jetës dhe ta vlerësonte më shumë çdo ditë.
Banderas kujtoi se ndodhej në shtëpinë e tij në Surrey të Anglisë kur ndjeu dhimbje të forta në gjoks. Partnerja e tij, Nicole Kimpel, reagoi menjëherë, duke i dhënë një aspirinë dhe duke thirrur ekipin e urgjencës.
Më pas, aktori u transportua në spital, ku iu nënshtrua një ndërhyrjeje urgjente. Mjekët i vendosën tre stenta në arterie, duke rikthyer qarkullimin normal të gjakut dhe duke i shpëtuar jetën.
Sipas Banderas, kjo përvojë e vështirë e ndryshoi rrënjësisht mënyrën se si ai e shihte jetën. Ajo e bëri të përqendrohej më shumë te shëndeti, familja dhe momentet e përditshme, duke lënë pas ritmin e vrullshëm të karrierës.
