Peter Magyar sfidon Orbanin: “Sot do të ketë ndryshim regjimi në Hungari”

Peter Magyar, kreu i Partisë Tisza dhe kandidat për kryeministër, ka deklaruar se Hungaria po shkon drejt një “ndryshimi të madh politik”, duke theksuar se procesi zgjedhor i së dielës shënon një moment historik.

“Sot do të ketë një ndryshim regjimi në Hungari, populli hungarez do të shkruajë histori”, tha Peter Magyar.

Pas votimit në një qendër në Budapest, ai u shpreh para gazetarëve se zgjedhjet mund të përfaqësojnë një pikë kthese për vendin. Magyar shtoi se pjesëmarrja e lartë e qytetarëve dëshmon rëndësinë që votuesit i japin këtij procesi.

Sipas tij, vendi ndodhet përballë një zgjedhjeje të rëndësishme politike dhe strategjike, e cila do të përcaktojë orientimin e ardhshëm të Hungarisë dhe funksionimin e institucioneve publike.

Magyar u bëri thirrje autoriteteve të garantojnë një proces zgjedhor të rregullt dhe transparent.

Lideri i Partisë Tisza theksoi se, nëse zgjedhjet zhvillohen në mënyrë të drejtë, forca e tij politike beson se do të dalë fituese dhe do të marrë përgjegjësinë për të qeverisur vendin.

Ai nënvizoi gjithashtu rëndësinë e forcimit të marrëdhënieve të Hungarisë me Bashkimin Evropian dhe NATO-n, si dhe rikthimin e fondeve evropiane në vend, duke theksuar nevojën për bashkëpunim më të ngushtë me shtetet e Evropës Qendrore.