Tahiri: Seanca e Kuvendit mbahet të enjten, nuk u diskutua çështja e presidentit
Ekonomia Online raporton se Kreu i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, njoftoi se seanca e radhës e Kuvendit të Kosovës do të mbahet këtë të enjte.
Tahiri u shpreh se seanca e radhës do të mbahet të enjten dhe një nga temat e trajtuara ka qenë çështja e ekspozitës. Ai theksoi se “me përgjegjësi të plotë mund të them se ky ka qenë një dështim shumë serioz dhe një lëshim i madh, i cili duhet të marrë trajtim institucional.”
Më tej, Tahiri deklaroi se çështja e presidentit nuk është diskutuar. Ai shtoi se nëse ftohen në takime “një-për-një, si për kafe” nga kryeministri Kurti, nuk do të marrin pjesë.
Tahiri vazhdoi duke thënë: “Nuk e kemi diskutuar. Pra, vazhdon e njëjta qasje; të gjithë ankohen dhe bërtasin për zgjedhjen e presidentit, por nuk ka asnjë veprim nga qeveria. Kjo është përgjegjësia e drejtpërdrejtë e Albin Kurtit. Me 66 vota atëherë dhe po aq tani, Kosovës mund t’i jepet një president. Nuk ka kuptim t’i nxjerrim edhe një herë 1 milion qytetarë të votojnë, vetëm sepse një formacion politik dëshiron të marrë edhe një institucion të pavarur siç është posti i presidentit.
Ai nuk i ka 80 vota për president. Ai ka 66 vota për qeveri. Për t’u bërë president i Kosovës, duhet të kesh 80 vota. Për të pasur 80 vota, duhet të arrihet një marrëveshje. Këtë marrëveshje nuk e ka dashur, sepse ka dashur dy njerëz të partisë së tij. Aq e thjeshtë është kjo punë. Nuk ka asnjë arsye për të ndërtuar teori konspirative si ‘u takuan këta, u takuan ata’. Nuk ka dashur!
Nëse do të kishte dashur, procesi i konsultimit do të ishte nisur që në fillim, një tryezë do të kishte diskutuar çfarë profili, çfarë kriteri, çfarë potenciali duhet të ketë presidenti. Nuk ka dashur. Apo, dëshiron të hyjë në një spektakël publik për qëllime politike?”
