Shefi i grupit parlamentar nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, pas seancës së jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës për çështjen e presidentit, tha se ajo ishte antikushtetuese, raporton Ekonomia Online.
Derisa ishte duke folur, kaloi kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu, e cila i tha që të flasë në seancë.
“Ajo çka ndodhi sonte në Kuvendin e Republikës së Kosovës nuk është dashur të ndodhë. Është një gabim i madh. Ajo që sot kryetarja e Kuvendit dhe ushtruesja e detyrës së presidentes ndërmori është, pa asnjë dyshim, një goditje e rëndë që i është bërë rendit kushtetues, që i është bërë Kushtetutës së Kosovës, duke nisur një seancë plotësisht në kundërshtim me rregullat, të cilat janë mirë të përcaktuara, ku një seancë për zgjedhjen e presidentit do të duhej të kishte prezencën e dy të tretave. Kjo situatë kaq serioze, kaq e rrezikshme për demokracinë e vendit, pa asnjë dyshim, është cenim i rendit kushtetues dhe një tentim për grusht-shtet. Për Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës, ky akt shënon jo vetëm një ndër shkeljet më të mëdha kushtetuese, por, në të njëjtën kohë, edhe sulmin më të madh që i është bërë Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Aleanca, në këto rrethana, do t’i marrë të gjitha veprimet e mundshme për të parandaluar një veprim të tillë”, tha ai.
“Aleanca e ka përcjellë me kujdes këtë seancë dhe është sjellë konform rregullave demokratike. Kjo që ka ndodhur sot është puç, është cenim i Kushtetutës dhe ne këtë veprim antikushtetues e dënojmë ashpër”, shtoi Tahiri.
