**Të burgosur në Prishtinë përfundojnë me sukses programe rehabilituese**

Në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë janë përfunduar me sukses dy programe rehabilituese: “Menaxhimi i Zemërimit” dhe “Shkathtësitë Sociale”. Këto programe janë udhëhequr nga zyrtarët socialë të qendrës.

Shërbimi Korrektues i Kosovës (SHKK) ka njoftuar se qëllimi i këtyre programeve është zhvillimi i aftësive personale dhe shoqërore të të burgosurve. Ato ndikojnë drejtpërdrejt në kontrollin e emocioneve, përmirësimin e sjelljes dhe marrjen e vendimeve të përgjegjshme.

“Ndihmojnë pjesëmarrësit jo vetëm gjatë qëndrimit në institucion, por edhe në përgatitjen për jetën pas lirimit,” thuhet në njoftimin e SHKK-së. Certifikatat u shpërndanë nga Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i SHKK-së, Ridvan Hoti, Drejtoresha për Trajtim, Trendelina Qorraj, dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit në Qendrën e Paraburgimit në Prishtinë, Salih Ademi.

Zbatimi i këtyre programeve konsiderohet një hap i rëndësishëm drejt rehabilitimit dhe riintegrimit shoqëror të të burgosurve, duke kontribuar gjithashtu në uljen e rrezikut të përsëritjes së veprave penale.