Një rast i gjuajtjes me armë zjarri është raportuar mbrëmjen e së hënës në fshatin Nerodime e Epërme të Ferizajt.

Policia ka njoftuar se rasti është raportuar më 10 gusht 2026, rreth orës 21:00, në Stacionin Policor në Ferizaj.

Njësitet policore kanë reaguar menjëherë dhe kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku kanë identifikuar personin e dyshuar, A.N., 33-vjeçar.

Gjatë ndërhyrjes, policia ka konfiskuar një armë zjarri-pistoletë me gaz, së bashku me dy fishekë.

Për rastin është njoftuar prokurori i shtetit, i cili ka autorizuar inicimin e rastit për veprat penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” dhe “Përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

Pas intervistimit nga organet e rendit, i dyshuari është liruar dhe rasti do të hetohet në procedurë të rregullt.

Policia Rajonale e Ferizajt ka apeluar te qytetarët që të përmbahen nga përdorimi dhe gjuajtja me armë gjatë festave dhe ahengjeve familjare.

Sipas policisë, të shtënat në ajër paraqesin rrezik serioz për jetën dhe sigurinë e qytetarëve, ndërsa ndaj çdo personi që përdor armën në mënyrë të kundërligjshme do të ndërmerren veprimet e nevojshme ligjore./IndeksOnline/