Të shtëna me armë në një lokal në Prishtinë, një person i plagosur rëndë

Një person ka mbetur i plagosur rëndë të shtunën herët në mëngjes, pas të shtënave me armë zjarri në një lokal në rrugën “Lidhja e Pejës” në Prishtinë.

Policia e Kosovës ka bërë të ditur se ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:50, ku një i dyshuar mashkull, pas një mosmarrëveshjeje, ka shtënë në drejtim të viktimës.

Si pasojë e plagëve të marra, viktima është dërguar menjëherë për trajtim mjekësor në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK).

Menjëherë pas ngjarjes, në vendin e krimit kanë dalë njësitë policore përkatëse. Autori i dyshuar, megjithatë, është larguar në drejtim të panjohur.

Rasti po hetohet nga organet kompetente për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe kapjen e autorit.