**Infeksionet Urinare: Ndryshoni Këto Zakone Për T’i Parandaluar**

Nëse keni përjetuar ndonjëherë një infeksion të traktit urinar (ITU), e dini mirë sa të dhimbshme dhe të bezdisshme mund të jenë, veçanërisht nëse rikthehen vazhdimisht.

Edhe pse antibiotikët mund të lehtësojnë dhimbjet dhe simptomat e infeksionit urinar brenda pak ditësh, ka disa masa të thjeshta parandaluese që mund të ndërmerrni për të shmangur rikthimin e tyre.

Për t’i thënë lamtumirë urinimit të shpeshtë, ndjesisë së djegies dhe simptomave të tjera të pakëndshme, filloni të bëni këto ndryshime. Çelësi është mbajtja e baktereve larg traktit urinar.

**Pini sa më shumë ujë:** Kjo është mënyra më e thjeshtë për të parandaluar infeksionet e traktit urinar. Uji ndihmon në nxjerrjen e baktereve jashtë fshikëzës dhe traktit urinar përpara se ato të futen më thellë. Nëse jeni mirë-hidratuar, do të urinoni më shpesh, duke pastruar kështu sistemin.

**Pastrohuni nga përpara-mbrapa:** Bakteret zakonisht gjenden rreth zonës së anusit. Nëse pastroheni nga përpara drejt mbrapa, veçanërisht pasi keni kryer nevojën e madhe, rreziku është më i ulët që bakteret të kalojnë në uretrën tuaj.

**Lahuni para marrëdhënieve seksuale dhe urinoni më pas:** Lahuni me ujë të bollshëm përpara se të kryeni marrëdhënie seksuale. Kjo ndihmon që bakteret të qëndrojnë larg uretrës. Ndërsa urinimi pas seksit ndihmon në nxjerrjen jashtë të çdo bakteri që mund të ketë hyrë në traktin urinar.

**Qëndroni larg produkteve që shkaktojnë irritim vaginal:** Shmangni përdorimin e pudrave me aromë, deodorantëve dhe produkteve të tjera që mund të shkaktojnë irritim të vaginës.

**Metodat kontraceptive:** Disa metoda për parandalimin e shtatzënisë, si diafragma, spermicidet ose prezervativët me spermicid, mund të rrisin rrezikun e shfaqjes së infeksioneve urinare, pasi kontribuojnë në zhvillimin e baktereve. Nëse prekeni shpesh nga infeksionet urinare dhe përdorni një nga këto metoda, merrni parasysh përdorimin e lubrifikantëve për thatësinë vaginale dhe eksploroni metoda të tjera kontraceptive.

Ekspertët rekomandojnë gjithashtu veshjen e të brendshmeve prej pambuku dhe shmangien e rrobave shumë të ngushta, të cilat mund të favorizojnë kalimin e baktereve afër uretrës.