**Franca përballet me valën e të nxehtit: Mbyllen shkolla dhe kufizohet alkooli**
Franca po përballet me një valë të fuqishme të nxehti këto ditë, me temperatura që pritet të kalojnë 40 gradë Celsius në disa zona. Si pasojë, rreth 800 shkolla do të mbyllen dhe do të vendoset një ndalim i pjesshëm i alkoolit për festimet e “Fête de la Musique”.
Vala e të nxehtit ka prekur rreth 53 milionë njerëz në Francë. Niveli më i lartë i alarmit (i kuq) është në fuqi në 35 departamente, ndërsa i dyti më i larti (portokalli) vlen për 45 departamente, kryesisht në qendër dhe perëndim të vendit. Shërbimi meteorologjik francez, Météo France, paralajmëron se alarmi i kuq mund të shtrihet edhe në zona të tjera ditët në vijim. Temperaturat maksimale, që sot priten të arrijnë deri në 41 gradë Celsius, do të rriten edhe më tej të hënën dhe të martën, duke shkuar deri në 42 gradë Celsius në qytete si Nantes dhe Bordeaux, pranë bregdetit të Atlantikut.
**Mbyllja e më shumë se 800 shkollave**
Ministri francez i Arsimit, Édouard Geffray, njoftoi se 845 shkolla fillore dhe të mesme në Francë do të mbyllen të hënën. Këto institucione nuk do të presin nxënës ose do të ofrojnë vetëm funksionim minimal, shpjegoi ai, sipas raportimeve të mediave franceze. Rreth 1800 institucione të tjera do të përshtatin oraret dhe do t’i dërgojnë fëmijët e të rinjtë në shtëpi në orët e para të pasdites.
**Ndalim i pjesshëm i alkoolit dhe rregullime për “Fête de la Musique”**
Për shkak të vapës, qeveria franceze ka vendosur një ndalim publik për konsumin e alkoolit në 35 rajone. Ky vendim vjen në prag të “Fête de la Musique” (Festa e Muzikës), një ngjarje kombëtare që zhvillohet në të gjithë vendin sot.
Disa qytete kanë vendosur të shtyjnë koncertet e planifikuara për edicionin e 45-të të kësaj feste. Në zona të tjera, fillimi i festimeve u shty për në orët e para të mbrëmjes. Në Lion, skenat zyrtare janë pajisur me zona të hijezuara, ndërsa në Troyes, ngjarjet nuk do të fillojnë para orës 20:00.
**Masat e sigurisë dhe paralajmërimet për udhëtimet**
Sipas autoriteteve, 4800 oficerë policie dhe 2500 zjarrfikës janë vënë në detyrë në kryeqytetin Paris dhe rrethinat e tij.
Kompania franceze hekurudhore SNCF u ka bërë thirrje personave të ndjeshëm të shmangin udhëtimet me tren. Drejtuesi i kompanisë theksoi se nuk përjashtohet mundësia e problemeve në trafikun hekurudhor për shkak të temperaturave të larta. Ai shtoi se 3,500 punonjës janë në gatishmëri 24 orë në ditë për të monitoruar rrjetin e trenave dhe sistemet teknike, por infrastruktura hekurudhore do ta kishte të vështirë të përballonte temperaturat kaq të larta.
Edhe Presidenti francez Emmanuel Macron përmes platformës X (ish-Twitter) bëri thirrje për vigjilencë përballë temperaturave të larta. “Le të kujdesemi për të moshuarit, fëmijët tanë dhe personat e vetmuar apo në nevojë,” shkroi ai.
