Tensionet kanë përshkuar seancën e fundit plenare të Kuvendit të Shqipërisë, e cila u zhvillua me debate të ashpra si brenda, ashtu edhe jashtë institucionit. Opozita kundërshtoi ashpër procedurën e shqyrtimit të projektligjit për marrëveshjen e mbrojtjes me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ndërkohë që jashtë ambienteve të parlamentit vijonte protesta e qytetarëve.
Marrëveshja, e cila parashikon një hua prej 302 milionë dollarësh, ishte në qendër të rendit të ditës së seancës.
Në fillim të punimeve, Kuvendi rrëzoi kërkesën e deputetit Agron Shehaj për zhvillimin e një seance pyetje-përgjigje me kryeministrin Edi Rama, lidhur me çështjet e Porto Romanos dhe aeroportit të Vlorës.
Më pas, kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi, njoftoi prezantimin e projektligjit për marrëveshjen e mbrojtjes me SHBA-në. Partia Demokratike (PD) kërkoi transparencë për përmbajtjen e saj, duke pretenduar se dokumenti i depozituar në faqen e Kuvendit nuk shoqërohej me relacionin përkatës.
Në përgjigje, Peleshi u kërkoi deputetëve të njiheshin me marrëveshjen përmes procedurave të përcaktuara, duke theksuar se dokumenti mund të lexohej pas firmosjes së një detyrimi për konfidencialitet. “Shkoni dhe lexojeni marrëveshjen. Nuk do të miratohet pa e studiuar,” deklaroi Peleshi, duke iu përgjigjur kërkesave të opozitës.
Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, kundërshtoi ashpër procedurën e ndjekur nga mazhoranca, duke theksuar se Kuvendi duhet t’u vërë në dispozicion deputetëve të gjithë dokumentacionin shoqërues. Bardhi sqaroi se opozita nuk është kundër marrëveshjes me SHBA-në në thelb, por kundërshton procedurën e përshpejtuar të miratimit të saj. Sipas tij, një shqyrtim i tillë mund të jetë antikushtetues dhe paralajmëroi se çështja mund të përfundojë në Gjykatën Kushtetuese.
Gjatë debatit, deputetët e opozitës u ngritën nga vendet e tyre dhe bllokuan foltoren e Kuvendit, duke kundërshtuar vijimin e procedurave.
Pavarësisht kundërshtimeve të opozitës, Kuvendi miratoi me 76 vota pro kalimin me procedurë të përshpejtuar të marrëveshjes mes Shqipërisë dhe SHBA-së. Votimi përfundimtar i projektligjit është parashikuar të zhvillohet pasditen e sotme në orën 17:00.
