**Shoqata e Përpunuesve të Drurit të Kosovës: Industrisë i nevojitet financim i garantuar për UShAF-in**

Shoqata e Përpunuesve të Drurit të Kosovës (SHPDK) ka shprehur shqetësimin për mospërfshirjen e Universitetit të Shkencave të Aplikuara në Ferizaj (UShAF) në planifikimin buxhetor për vitin 2027.

SHPDK thekson se UShAF-i është i vetmi institucion publik që përgatit profesionistë dhe kuadro të specializuara drejtpërsëdrejti për industrinë e drurit, mobilieve dhe dizajnit. Prej vitesh, kompanitë anëtare të shoqatës kanë punësuar me sukses të diplomuarit e këtij universiteti, dhe industria mbetet thelbësore e varur prej tij për fuqi punëtore të kualifikuar.

Universiteti disponon punëtori moderne dhe infrastrukturë të pajisur me teknologji bashkëkohore të industrisë, si rezultat i një investimi të konsiderueshëm shumëvjeçar. Gjithashtu, ka një staf akademik të përgatitur dhe me përvojë. Rrezikimi i financimit të UShAF-it nënkupton humbjen e një kapitali të vlefshëm, të ndërtuar me kujdes gjatë viteve.

SHPDK-ja i bën thirrje Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI) dhe Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve që të rishikojnë vendimin dhe të sigurojnë financimin e domosdoshëm për UShAF-in. Po ashtu, kërkohet përfshirja e industrisë dhe e universitetit në çdo diskutim mbi të ardhmen e këtij institucioni.

Stabiliteti dhe qëndrueshmëria e UShAF-it janë thelbësore për stabilitetin e industrisë së përpunimit të drurit dhe për të rinjtë kosovarë që synojnë të ndërtojnë karrierë të suksesshme në vend.