Ministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Glauk Konjufca, ka folur për procesin e zgjedhjes së presidentit, duke deklaruar se nuk ka ambicie personale për këtë post dhe se është thelbësore që partitë politike të arrijnë një kompromis. Lajmi bëhet i ditur nga Ekonomia Online.
Sipas Konjufcës, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka mbajtur qëndrimin e saj se “presidenti duhet të jetë i PDK-së”, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), sipas tij, ka shfaqur një qasje më bashkëpunuese kohët e fundit.
Ai vlerësoi edhe pozicionin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), duke theksuar se çdo përpjekje për të shmangur zgjedhjet e parakohshme është për t’u përshëndetur.
Konjufca citohet të ketë thënë: “Nuk kam synime të veçanta. Ky proces nuk zgjidhet duke u dhënë përparësi synimeve tona individuale. Ky proces zgjidhet vetëm atëherë kur partitë politike ulen dhe përcaktojnë se çka kemi nevojë.”
