Komuna e Ferizajt sqaron situatën pas vërshimit në nënkalim

Reshjet intensive dhe të pandërprera, që prej mëngjesit të sotëm, kanë shkaktuar disa vështirësi në qarkullimin rrugor në Ferizaj. Megjithatë, sipas njoftimit të komunës, gjendja është nën kontroll dhe ekipet e emergjencës janë në terren, duke ndërhyrë në rastet që janë paraqitur apo vazhdojnë të shfaqen.

Përmes një njoftimi zyrtar, komuna ka sqaruar edhe lidhur me videon disa-sekondëshe të nënkalimit të vërshuar pranë Stacionit Policor.

Sipas komunës, kjo video e ka shtrembëruar gjendjen reale në Ferizaj.

“E vërteta është se ekipet e emergjencës kanë ndërhyrë menjëherë dhe se të gjitha nënkalimet dhe akset e tjera rrugore, që janë nën përgjegjësinë lokale, janë të qarkullueshme. Prandaj, dezinformimet dhe shfaqjet e pamjeve të shkurtra (disa sekondëshe) të gjendjes nën kushte të reshjeve intensive dhe të pandërprera, nuk pasqyrojnë saktë situatën reale në terren. Kushtet e tilla atmosferike do të vazhdojnë përgjatë gjithë ditës, prandaj u bëjmë thirrje qytetarëve të kenë kujdes”, thuhet në njoftim.