Akademik Mehmet Kraja ka shkruar sot për vdekjen e akademik Rexhep Qosjes, duke thënë se me ikjen e tij “merr fund epoka e idealistëve të mëdhenj, të cilët për kombin folën me zë që kumbon larg dhe tejkalon kufizimet e kohës”.

Kraja tha se me të për shumë gjëra s’është pajtuar, por se gjithmonë e ka çmuar mendimin e tij, “sepse ai edhe kur gabonte, nuk mund të ishte gjë tjetër pos patriot i zhgënjyer”.

“Gjithmonë kam konsideruar se ai thoshte të vërteta të mëdha për kombin, për identitetin, për letërsinë dhe historinë tonë”.

Por, Kraja për institucionin që ai e drejtoi për katër vjet, Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës, tha se dikush aty duhet ta pastrojnë ndërgjegjen pse ia mbyllën derën Qosjes.

“Sekush në Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ka punë ta pastrojnë ndërgjegjen e tij, pse ia mbyllën derën e këtij institucioni Rexhep Qosjes. Duhet të gjejnë kurajë dhe ta pastrojnë ndërgjegjen edhe ata që shpifën, e shkelën dhe u përpoqën ta njollosnin emrin e tij”, shkroi Kraja,

Rexhep Qosja njihet për debatet  e ashpra rreth Akademisë së Shkencave të Arteve, ku shpesh ka bërë akuza se në këtë institucion ka ndikim Lidhja Demokratike e Kosovës./Express/