**Tentativë vrasjeje në Lipjan: Policia arreston një person, sekuestron pistoletë dhe municion**
Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të rëndë të tentativës për vrasje, që ka ndodhur në Lipjan. Si pasojë e ngjarjes, një person është arrestuar, ndërsa organet e rendit kanë sekuestruar një pistoletë dhe 48 fishekë.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës, incidenti ka ndodhur më 4 gusht 2026, rreth orës 17:30. Një i dyshuar, shtetas kosovar, fillimisht kishte tentuar të sulmojë fizikisht viktimën, gjithashtu shtetas kosovar, i cili ndodhej në veturën e tij.
Kur viktima ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes, i dyshuari ka shtënë me armë zjarri në drejtim të veturës.
Policia ka sekuestruar pistoletën e përdorur në incident, si dhe 48 fishekë. Me vendim të prokurorit kompetent, i dyshuari është dërguar në qendrën e mbajtjes.
