**Tesla ndërpret prodhimin e Cybertruck për t’u fokusuar te makinat autonome Cybercab**
Tesla pritet të ndërpresë gradualisht dhe përfundimisht prodhimin e automjeteve elektrike Cybertruck në fabrikën e saj në Teksas gjatë vitit të ardhshëm. Kjo hapësirë prodhuese do t’i dedikohet më pas prodhimit të makinave autonome Cybercab. Lajmin e bëri të ditur drejtori ekzekutiv i kompanisë, Elon Musk, i cili shpjegoi se ky vendim synon të krijojë më shumë kapacitete për zhvillimin dhe prodhimin e automjeteve pa shofer.
Musk nuk sqaroi nëse Tesla do ta ndërpresë plotësisht prodhimin e Cybertruck apo do ta zhvendosë atë në një fabrikë tjetër. Megjithatë, inxhinieri kryesor i projektit, Wes Morrill, la të kuptohet se modeli mund të dalë nga prodhimi. Në një reagim në rrjetin social X, Morrill shkroi se Cybertruck ishte një platformë e jashtëzakonshme për zhvillimin e teknologjisë dhe se trashëgimia e tij do të vazhdojë përmes modelit Cybercab.
Me dizajnin e tij këndor dhe pamjen e pazakontë, Cybertruck tërhoqi një numër të madh adhuruesish të markës Tesla. Megjithatë, automjeti u përball me vonesa të shumta përpara lëshimit në treg në vitin 2023 dhe më pas regjistroi shitje më të ulëta se sa pritej. Lajmi për të ardhmen e modelit shkaktoi reagime të ndryshme mes fansave të Tesla-s në internet. Disa prej tyre shprehën keqardhjen për vendimin, duke e cilësuar Cybertruck si automjetin më të mirë që kompania ka prodhuar ndonjëherë.
Musk iu përgjigj një përdoruesi që e quajti modelin “më të mirin e Tesla-s”, duke shkruar se kishte të drejtë, por shtoi se flota ekzistuese e Cybertruck do të vazhdojë të jetë në përdorim për një kohë të gjatë. Pas këtij njoftimi, aksionet e Tesla-s shënuan rritje me 4.7% gjatë ditës së premte.
Cybertruck ka qenë një nga projektet më personale të Musk, i cili edhe në muajt e fundit kishte shprehur vlerësime të forta për automjetin, duke e cilësuar si produktin më të mirë të kompanisë deri më sot. Tashmë, vëmendja e Tesla-s duket se po zhvendoset drejt Cybercab, automjetit autonom që është projektuar të transportojë pasagjerë pa pasur nevojë për drejtues njerëz.
