**Vlorë: Theu xhamin e supermarketit dhe vodhi kasën me para, arrestohet 32-vjeçari**
Një 32-vjeçar është arrestuar në Vlorë, i dyshuar se ka kryer një vjedhje me thyerje në një supermarket. Ai akuzohet se theu xhamin e derës dhe vodhi kasën me një sasi parash.
Ngjarja ndodhi gjatë natës në një supermarket në lagjen “Bashkimi”. Pas njoftimit për vjedhjen, Policia organizoi menjëherë operacionin e koduar “Reagimi”, i cili çoi në identifikimin dhe kapjen e autorit të dyshuar, shtetasit E. B., 32 vjeç, banues në Vlorë.
Gjatë operacionit, shërbimet policore gjetën dhe sekuestruan kasën e vjedhur si provë materiale. 32-vjeçari u arrestua në flagrancë dhe akuzohet për veprat penale “Vjedhja” dhe “Shkatërrimi i pronës”.
Në vijim të hetimeve, Policia, në bashkëpunim me Prokurorinë, po punon për zbardhjen e vjedhjeve të tjera që dyshohet se janë kryer nga ky shtetas.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Vlorë, për veprime të mëtejshme ligjore.
