Gjykata e Lartë shtyn seancat, dëmtohen dosjet nga zjarri i protestës
**Tiranë** – Gjykata e Lartë ka njoftuar shtyrjen e të gjitha seancave gjyqësore, me përjashtim të çështjeve urgjente, si pasojë e dëmeve të rënda materiale dhe dëmtimit të dosjeve, shkaktuar nga zjarri gjatë protestave të 17 tetorit.
Në një njoftim zyrtar të datës 20 tetor, Gjykata bëri me dije se dëmet e pësuara në ambientet dhe infrastrukturën e saj kanë pamundësuar zhvillimin normal të veprimtarisë gjyqësore.
Sipas institucionit, shtyrja do të vazhdojë deri në përfundimin e plotë të verifikimit të dëmeve, vlerësimit të gjendjes së dosjeve gjyqësore dhe rikthimit të kushteve optimale për vijimin e punës.
Gjykata ka angazhuar të gjitha kapacitetet e saj njerëzore për të përballuar situatën. Prioritet i menjëhershëm mbetet identifikimi, verifikimi dhe garantimi i integritetit të dokumentacionit gjyqësor të dëmtuar.
Palët e prekura nga kjo situatë do të njoftohen individualisht përmes të dhënave të tyre të kontaktit, ndërsa datat e reja të seancave do të bëhen publike në faqen zyrtare dhe kanalet e tjera të komunikimit të institucionit.
Gjykata e Lartë ka apeluar për mirëkuptimin e palëve ndërgjyqëse dhe përfaqësuesve të tyre ligjorë, duke theksuar se rikthimi i plotë në normalitet kërkon kohë dhe përkushtim për të garantuar vijimësinë e sigurt dhe të pandërprerë të proceseve gjyqësore.
