Tragjedi në Vushtrri: Fëmija humb jetën pasi u godit nga automjeti i babait, dyshohet pakujdesia

Një fëmijë ka humbur jetën në Vushtrri të premten pasdite, në një ngjarje tragjike ku dyshohet se është goditur aksidentalisht nga automjeti i babait të tij. Policia e Kosovës ka konfirmuar rastin përmes raportit 24-orësh.

Ngjarja e rëndë ka ndodhur rreth orës 15:00. Sipas raportit policor, babai dyshohet se e ka goditur fëmijën e tij me veturë nga pakujdesia. Si pasojë e plagëve të rënda të marra, fëmija ka ndërruar jetë.

Rasti aktualisht është duke u hetuar nga organet kompetente.

Në njoftimin e Policisë, detajohet si vijon:

“VRASJE NGA PAKUJDESIA
Vushtrri 27.03.2026 – 15:00. Është raportuar se i dyshuari mashkull kosovar, me automjetin e tij nga pakujdesia ka goditur fëmijën e tij, i cili nga plagët e rënda ka ndërruar jetë. Trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për obduksion. Rasti është duke u hetuar.”