**Shtime: Grua 46-vjeçare humb jetën pas rënies dyshohet aksidentale nga kati i tretë**
Një ngjarje tragjike ka ndodhur mbrëmë në Shtime, ku një grua 46-vjeçare ka humbur jetën pasi ka rënë nga kati i tretë i një ndërtese. Incidenti dyshohet të ketë qenë aksidental.
Policia njoftoi se mbrëmë, rreth orës 18:50, mori informacionin për ngjarjen në rrugën “12 Qershori”.
Kanun Veseli, zëdhënës i Policisë për rajonin e Ferizajt, bëri të ditur se menjëherë pas njoftimit, një patrullë policore doli në vendngjarje, ku gjeti gruan 46-vjeçare të lënduar rëndë.
“Menjëherë pas kësaj, ekipi i urgjencës nga Shtimja mbërriti dhe transportoi të lënduarën drejt QKMF-së lokale për trajtim mjekësor. Megjithatë, rreth orës 19:20, u konfirmua se gruaja kishte ndërruar jetë,” tha Veseli.
Veseli shtoi se për të gjitha veprimet policore u njoftua Prokurori i Shtetit, ndërsa në vendngjarje dolën edhe hetuesit dhe teknikët kriminalistikë rajonalë.
“Nga hetimet paraprake, dyshohet se viktima ra aksidentalisht së bashku me kangjellat metalike,” theksoi zëdhënësi i policisë.
Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë u dërgua në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë për autopsi.
Rasti është regjistruar si “hetim për vdekjen”.
