**Tre vdekje të raportuara brenda ditës në Kosovë, dy të gjetur pa shenja jete dhe një pas rënieje nga lartësia**

Tre persona kanë humbur jetën gjatë së dielës në Kosovë, në rrethana të ndryshme dhe ende të pasqaruara. Dy prej tyre u gjetën pa shenja jete, ndërsa i treti gjeti vdekjen pas rënies nga një lartësi.

Në Prizren, të dielën pasdite, rreth orës 14:15, një grua u gjet pa shenja jete në banesën e saj. Vdekja e saj u konfirmua nga ekipi mjekësor, ndërsa Policia e Kosovës bëri me dije se, me urdhër të prokurorit, trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) për autopsi.

Një rast tjetër i hetimit të vdekjes u raportua në Dragash, ku gjithashtu u gjet i pajetë një burrë. Edhe në këtë rast, shërbimet mjekësore konfirmuan vdekjen në vendin e ngjarjes, dhe trupi i viktimës u dërgua për autopsi.

Rasti i tretë tragjik ndodhi në Shtime, ku të dielën rreth orës 19:00, një person ka humbur jetën pasi ra nga një lartësi. Ekipi mjekësor mbërriti në vendin e ngjarjes dhe transportoi viktimën në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), ku u konfirmua se ishte pa shenja jete. Policia ka nisur hetimet për të zbardhur rrethanat e secilës ngjarje.