Disa nga qytetarët e Prishtinës këtë të diel vendosën ta kalojnë në Parkun e Gërmisë. Ndonëse ishte një ditë vikendi, ata nuk hezituan t’i shprehnin ankesat e pakënaqësitë për zhvillimet e fundit politike në vend.
Sami Bërbatovci mendon se në këtë mes duhet të bëhet një zgjidhje kombëtare dhe gjithsesi të evitohen zgjedhjet.
E Imer Hoxha vlerëson se populli duhet të zgjohet dhe të zgjedh më të mirin, e mbi të gjitha kërkon më shumë nga rinia.
Sipas Brahim Mustafës, kemi shumë halle tjera përveç politikës. Ai iu bën thirrje liderëve politikë t’i lënë inatet mes tyre dhe të gjejnë një gjuhë të përbashkët.
Ndërkohë, Enver Halimi ka një kandidate të preferuar për presidente e që sipas tij, ajo e meriton këtë post.
Se duhet të ketë unitet mes krerëve politikë e thotë edhe Masar Bytyçi.
Derisa, Mirsad Gashi vlerëson se kjo është zvarritje e procesit dhe bllokim i shtetit.
Gjatë kohëve të fundit, në vend ka pasur polemika të shumta mes partive politike për zgjedhjen e presidentit, derisa kanë mbetur edhe dy ditë afat kushtetues për zgjedhjen e shefit të shtetit.
Ndërkohë, ushtruese e detyrës së presidentes së Kosovës është Albulena Haxhiu, e cila njëkohësisht mban postin edhe të kryetares së Kuvendit./KP
