Mickoski shpall kabinetin e ri qeveritar, votimi në Kuvend deri në mes të korrikut
Kryeministri i mandatuar dhe lideri i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski, ka bërë publike përbërjen e propozuar të kabinetit të tij të ri qeveritar, e cila pritet të votohet në Kuvend deri në mesin e korrikut. Propozimi zyrtar pritet t’i dërgohet legjislativit deri ditën e premte, pas finalizimit të marrëveshjeve me partnerët e koalicionit “VLEN” dhe ZNAM.
Mickoski theksoi se ky riorganizim i qeverisë shënon fillimin e një faze të re, pas dy viteve të kaluara plot sfida, ku janë hedhur baza, është stabilizuar situata dhe janë zbatuar projekte të rëndësishme. “Tani vjen një periudhë në të cilën fokusi do të jetë edhe më shumë në efikasitet, dinamikë dhe dhënien e rezultateve për qytetarët. Energji e re për përshpejtim të ri,” deklaroi ai. Ai shtoi se çdo zyrtar duhet të jetë i qasshëm, i përgjegjshëm dhe plotësisht i përkushtuar ndaj punës.
Lideri i VMRO-DPMNE-së njoftoi emrat e ministrave nga partia e tij. Ministër i ri i Shëndetësisë do të jetë Sasho Klekovski, ish-drejtori i Fondit të Sigurimit Shëndetësor, ndërsa pozita e drejtorit të Fondit do t’i besohet Zlatko Perinskit, aktualisht ministër i Vetëqeverisjes Lokale. Gjoko Velkovski, ish-zëvendësministër në të njëjtin resor, është propozuar për ministër të Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, dy portofole të reja që do të menaxhohen nga kuadrot e VMRO-DPMNE-së. Ministër i ri i Vetëqeverisjes Lokale do të jetë Ivan Stoiljkoviq. Ndërsa Erxhan Demir, një ekonomist i diplomuar dhe ish-kryetar i Komitetit Qendror të VMRO-DPMNE-së në Shuto Orizarë, është emëruar ministër pa portofol, përgjegjës për integrimin dhe zbatimin e Strategjisë për Përfshirjen e Romëve.
Në ndryshimet strukturore, Mickoski theksoi se pozita e zëvendëskryeministrit për Qeverisje të Mirë po shfuqizohet dhe ky departament do të kalojë drejtpërdrejt nën autoritetin e Zyrës së Kryeministrit. Ai bëri të ditur se tashmë ekziston një sekretar që monitoron punën e Qeverisë dhe zbatimin e programit, dhe tani do të shtohet edhe një sekretar nga kabineti përgjegjës specifikisht për qeverisje të mirë.
Shumica qeveritare do të zgjerohet me një deputet nga Partia Demokratike e Turqve, e cila, pas arritjes së një marrëveshjeje me koalicionin e udhëhequr nga VMRO-DPMNE, do t’i caktohet një ministër pa portofol.
Koalicioni VLEN do të marrë përsipër ministritë e Drejtësisë, Kulturës dhe Turizmit, si dhe Marrëdhëniet mes Komuniteteve. Gjithashtu, VLEN do të vazhdojë të drejtojë sektorët e Mjedisit, Çështjeve Evropiane, dhe Ekonomisë dhe Punës.
Ndërsa lëvizja ZNAM ka njoftuar se do të marrë Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Administrimit të Ujërave, me Borçe Serafimovskin, sekretarin aktual shtetëror në këtë ministri, si ministër të propozuar. Goran Minçev do të vazhdojë të jetë në krye të Ministrisë së Administratës Publike.
