Kosovari vidhet gjatë pushimit në autostradën hungareze
Një qytetar i Kosovës ka rënë viktimë e një vjedhjeje në autostradën hungareze, në rrethana të pazakonta.
D.R., identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur i plotë, ka deklaruar për IndeksOnline se, teksa pushonte në automjetin e tij në një zonë të dedikuar në autostradën M5, disa persona të panjohur ia hapën veturën dhe i morën sendet personale.
Ai shpjegoi se ishte ndalur në një zonë pushimi të autostradës për të bërë një gjumë të shkurtër, kur vjedhësit ia hapën derën e automjetit, duke i marrë çantën e dorës që përmbante rreth 8 mijë euro, letërnjoftimin, pasaportën dhe kartat bankare.
Menjëherë pas ngjarjes, D.R. njoftoi Ambasadën e Kosovës në Hungari, si dhe policinë hungareze.
“Policia hungareze m’u përgjigj menjëherë dhe për këtë i jam mirënjohës,” deklaroi D.R., i cili është nga Podujeva. Ai shtoi: “Falënderoj edhe Ambasadën e Kosovës në Budapest, e cila më ndihmoi me dokumentet e udhëtimit, duke m’i rregulluar ato që të mund të kthehem në Kosovë.” Lidhur me veprimet e policisë, ai theksoi se: “Policia, menjëherë pas lajmërimit, mori shenjat e gishtërinjve nga dera e automjetit dhe siguroi pamjet nga kamerat e sigurisë, si dhe më ofruan dosjen e rastit.”
Ai bëri apel që të gjithë udhëtarët, të cilët kalojnë përmes këtij segmenti të autostradës dhe ndalen për pushim, të tregojnë kujdes të shtuar.
(Burimi: IndeksOnline)
