Villarreali ka reaguar zyrtarisht pas raportimeve të mediave se Nicolas Pepe ishte detyruar t’i nënshtrohej një operacioni në sy, pasi dyshohej se kishte shikuar drejtpërdrejt eklipsin diellor në Spanjë.

Klubi spanjoll i ka cilësuar këto pretendime si plotësisht të pavërteta, duke sqaruar se ndërhyrja kirurgjikale ishte planifikuar paraprakisht dhe nuk kishte asnjë lidhje me eklipsin, shkruan Indeksonline

“Duke marrë parasysh raportimet e fundit të publikuara nga media të ndryshme, Villarreal CF dëshiron të sqarojë se pretendimet që e lidhin operacionin në sy të Nicolas Pepe me shikimin e eklipsit diellor janë plotësisht të pavërteta. Ndërhyrja ishte planifikuar më herët, për arsye krejtësisht të palidhura me këtë ngjarje”, thuhet në komunikatën e klubit.

Gjithashtu, Villarreali u ka bërë thirrje mediave që të tregojnë saktësi dhe përgjegjësi kur raportojnë për çështje që lidhen me shëndetin e futbollistëve.

Kujtojmë se Pepe kishte munguar në pesë ndeshje gjatë muajit tetor, ndërsa raportimet për ndërhyrjen kirurgjikale kishin nxitur spekulime të shumta rreth shkakut të problemeve me sytë e tij./Indeksonline/