Automjeti i vjedhur në Prizren gjendet pas gjashtë muajsh në Vushtrri, Policia ia kthen pronarit
Policia e Kosovës ka arritur të gjejë dhe t’ia rikthejë pronarit një automjet të vjedhur në Prizren, i cili kishte munguar për gjashtë muaj dhe u zbulua në zonat malore të Vushtrrisë.
Rasti i vjedhjes ishte raportuar më 14 prill 2026, nga një qytetar në fshatin Zhur të Prizrenit. Ai kishte njoftuar se automjeti i tipit Mitsubishi Transporter, me ngjyrë hiri dhe targa vendore, ishte vjedhur nga oborri i shtëpisë së vëllait të tij.
Pas një periudhe të gjatë hetimesh dhe patrullimesh në terren, më 10 tetor 2026, gjashtë muaj pas vjedhjes, një patrullë e Policisë së Vushtrrisë e zbuloi automjetin. Ai u gjet në një zonë të thellë malore të fshatit Oshlan, Vushtrri, dhe i ishin ndërruar edhe targat.
Me urdhër të prokurorit të Shtetit, automjeti i është kthyer pronarit legjitim. Policia ka theksuar se hetimet do të vazhdojnë për identifikimin dhe kapjen e personave të përfshirë në këtë vjedhje.
