Në Qendrën Ndërkombëtare Trajnuese për Kërkim-Shpëtim të Gardës Kombëtare të FSK-së është zhvilluar trajnimi “Kërkim-Shpëtim Urban Bazik dhe i Avancuar”, me pjesëmarrjen e ushtarakëve nga Forca e Sigurisë së Kosovës dhe Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë.

Sipas një njoftimi të Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjatë trajnimit janë trajtuar tema që lidhen me përgatitjen dhe aftësimin e pjesëmarrësve për reagim në katastrofa natyrore dhe të shkaktuara nga njeriu, planifikimin e operacioneve, zhvillimin e detyrave individuale si kërkues-shpëtues në mjedise urbane, punën ekipore në operacionet e shpëtimit, përdorimin e pajisjeve adekuate, aplikimin e procedurave të kërkim-shpëtimit dhe ofrimin e ndihmës së parë.

FSK njofton se ky trajnim përfaqëson vazhdimësinë e bashkëpunimit bilateral mes Kosovës dhe Shqipërisë në fushën e sigurisë dhe emergjencave, duke kontribuar në rritjen e kapaciteteve për reagim në situata emergjente urbane dhe forcimin e ndërveprimit ndërmjet dy forcave.