Van Dijk shpreh keqardhje të thellë për largimin e Salahut: “Kemi kaluar gjithçka bashkë”

Mohamed Salah pritet t’i japë fund një periudhe nëntëvjeçare te Liverpooli në fund të këtij sezoni, duke u shndërruar në një nga figurat legjendare të klubit në “Anfield Road”.

Sulmuesi egjiptian ka vendosur të hapë një kapitull të ri në karrierën e tij, ndërsa bashkëlojtari dhe kapiteni i skuadrës, Virgil van Dijk, ka reaguar me emocione të forta lidhur me largimin e tij.

“Kemi kaluar gjithçka bashkë… ngritjet, uljet dhe momentet më të mëdha,” – u shpreh holandezi, duke theksuar lidhjen e ngushtë me sulmuesin.

Van Dijk vlerësoi jashtëzakonisht kontributin e Salahut te Liverpooli. “Ai ka qenë një lojtar shumë i rëndësishëm për ne, si në fushë, ashtu edhe jashtë saj.”

Mbrojtësi shtoi se ndarja me Salahun është emocionuese për të gjithë ekipin. “Nuk janë vetëm trofetë… por kujtimet dhe betejat që kemi bërë bashkë. Ai është më shumë se një shok skuadre,” – theksoi ai.

Nga ana e tij, Salah ka dhënë sinjale se dëshiron ta mbyllë aventurën e tij në mënyrën më të mirë të mundshme, duke synuar ta ndihmojë Liverpoolin në arritjen e objektivave të fundit të sezonit përpara largimit.

Në “Anfield” po mbyllet një epokë e madhe, ku Salah po largohet si një nga lojtarët më vendimtarë në historinë moderne të klubit.