**Variant i ri i Koronavirusit ngre alarmin: Ekspertët kërkojnë vaksinimin e fëmijëve parashkollorë**
Një variant i ri i koronavirusit, i quajtur “Cicada” (BA.3.2), po ngjall shqetësim pasi mund të bëhet së shpejti dominues në nivel global. Kjo ka shtyrë ekspertët të sugjerojnë përfshirjen e vaksinimit kundër COVID-19 në programet rutinë për fëmijët parashkollorë.
Varianti BA.3.2, i pagëzuar me emrin “Cicada”, është përhapur me shpejtësi në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe është identifikuar tashmë në dhjetëra vende, duke përfshirë edhe Mbretërinë e Bashkuar. Shqetësimi i ekspertëve vjen nga fakti se mutacionet e tij mund t’i mundësojnë virusit të anashkalojë mbrojtjen imunitare të krijuar nga vaksinat aktuale.
Simptomat e këtij varianti mbeten të ngjashme me ato të mëparshmet – lodhje e theksuar, temperaturë dhe dhimbje trupi – por duket se fëmijët e moshës shkollore janë më të prekshëm ndaj “Cicada”-s.
Profesori Stephen Griffin nga Universiteti i Leeds-it thekson se përhapja aktuale nuk po shfaqet si një valë e shpejtë, por më tepër si një rritje graduale e rasteve. Megjithatë, ai paralajmëron se sa më i madh të jetë numri i infeksioneve, aq më e lartë është mundësia për shfaqjen e mutacioneve të reja.
Profesori kritikon qasjen e mëparshme për ta bërë vaksinimin e fëmijëve me zgjedhje, duke argumentuar se rreziku i riinfektimit dhe i formës së zgjatur të COVID-19 tek të rinjtë nuk është vlerësuar mjaftueshëm. Sipas tij, vaksinat kundër COVID-19 duhet të përfshihen në kalendarin e rregullt të imunizimit për fëmijët parashkollorë, me doza përforcuese të rregullta, të ngjashme me vaksinën e gripit.
Analizat e fundit tregojnë se proteina “spike” e këtij varianti ka pësuar rreth 75 mutacione, gjë që e bën atë një sfidë të re për sistemin imunitar.
Megjithatë, profesor Paul Hunter, mikrobiolog, thekson se shfaqja e varianteve të reja është e pritshme dhe nuk nënkupton domosdoshmërisht një rritje të vdekjeve. Sipas tij, edhe nëse një variant i ri përhapet me shpejtësi më të madhe, kjo nuk nënkupton automatikisht pasoja më të rënda për shëndetin publik.
Ekspertët vënë në dukje se, megjithëse vaksinat kanë ulur ndjeshëm rrezikun e formave të rënda të sëmundjes, mbrojtja është më efektive kur vaksina është e freskët. Rënia e shkallës së vaksinimit vazhdon të jetë një shqetësim i rëndësishëm.
Aktualisht, nuk ka shenja se bota është në prag të një pandemie të re, por rritja e rasteve mund të shkaktojë sërish probleme në funksionimin e shkollave, sistemit shëndetësor dhe transportit publik.
Sipas të dhënave të fundit, përqindja e rasteve të lidhura me këtë variant mbetet e ulët dhe numri total i infektimeve është ende në nivele të menaxhueshme.
