I dyshuari për të shtënat në Ferizaj ndërron jetë në QKUK
**Prishtinë** – V. K., i dyshuari kryesor për ngjarjen e rëndë me armë zjarri mbrëmë në Ferizaj, ka ndërruar jetë sot në orët e para të mëngjesit në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë. Ai dyshohej se fillimisht qëlloi me armë zjarri drejt të dashurës së tij, e më pas plagosi edhe veten.
Lajmin e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, i cili theksoi se personi V. K., 32-vjeçar, ka ndërruar jetë rreth orës 04:05 të datës 11 prill 2026, si pasojë e lëndimeve të marra. Ngjarja tragjike ndodhi mbrëmë, më 10 prill 2026, rreth orës 22:00.
Në këtë rast, e plagosur mbeti edhe L. U., 24-vjeçare, e dashura e të ndjerit. Ajo, pasi ka pranuar ndihmën e parë në Emergjencën e Ferizajt, u dërgua për trajtim të mëtejshëm në QKUK, ku vazhdon të jetë nën përkujdesjen e mjekëve.
Me vendim të prokurorit, trupi i pajetë i V. K. është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML) në Prishtinë për obduksion. Rasti, i cili fillimisht ishte cilësuar si “Vrasje e mbetur në tentativë”, pritet të rilicensohet ligjërisht nga prokurori pas zhvillimeve të reja.
