Zbulohen detajet e dasmës së Taylor Swift dhe Travis Kelce: data dhe vendi i ceremonisë

Popylli amerikan Taylor Swift dhe lojtari i shquar i NFL-së, Travis Kelce, thuhet se u kanë dërguar tashmë të ftuarve njoftimet paraprake për datën, duke zbuluar kështu detaje rreth dasmës së tyre të shumëpritur.

Sipas mediave, ceremonia pritet të mbahet më 3 korrik 2026 në New York.

Ky informacion vjen pas muajsh spekulimesh se çifti do t’i thoshte “Po”-në njëri-tjetrit në Rhode Island, ku Swift zotëron një pronë luksoze. Megjithatë, raportet e fundit tregojnë se ata kanë zgjedhur një hapësirë më të madhe dhe urbane në New York, me sa duket për të pritur më shumë figura publike.

Nju Jorku ka një kuptim të veçantë për këngëtaren, e cila zotëron disa prona atje dhe ka qenë e lidhur profesionalisht dhe personalisht me qytetin për një kohë të gjatë.

Zgjedhja e datës mbart gjithashtu simbolikë – dasma është planifikuar një ditë para Ditës së Pavarësisë Amerikane, një festë që Swift e pëlqen veçanërisht.

Lidhja mes Swift dhe Kelce nisi në verën e vitit 2023, në një mënyrë disi të pazakontë. Kelce më pas zbuloi se ishte përpjekur ta takonte këngëtaren gjatë turneut të saj “Eras”, me qëllim që t’i jepte një byzylyk me numrin e tij të telefonit, por nuk ia doli.

Menjëherë pas kësaj, të dy nisën lidhjen dhe, në shtator të vitit 2023, Swift e mbështeti publikisht Kelce-n për herë të parë duke shkuar në një ndeshje të ekipit të tij, Kansas City Chiefs, ku ajo u ul me familjen e tij.

Lidhja e tyre u bë shpejt publike dhe në tetor të të njëjtit vit ata u panë së bashku në New York pas shfaqjes “Saturday Night Live”, duke konfirmuar praktikisht romancën e tyre.

Gjatë viteve 2023 dhe 2024, çifti ishte shpesh në qendër të vëmendjes. Swift ndoqi rregullisht ndeshjet e NFL për të mbështetur Kelce-n, ndërsa ai udhëtoi nëpër botë për të ndjekur koncertet e saj.

Pas rreth dy vitesh lidhje, Swift dhe Kelce njoftuan fejesën e tyre në gusht 2025 nëpërmjet rrjeteve sociale, së bashku me fotot e një propozimi romantik.