Kryebashkiaku Veliaj në Gjykatë: Më Survejojnë dhe Arrestojnë, Por Më Mohohet E Drejta Për T’iu Drejtuar Drejtësisë

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, theksoi sot në Gjykatën Administrative se po konsiderohet “rrezik për drejtësinë” nga Prokuroria e Posaçme (SPAK), pasi kërkon t’i drejtohet gjykatës kundër prokurorit Ols Dado. Ai denoncoi një situatë ku, sipas tij, “unë mund të survejohem e arrestohem, por nuk lejohem t’i drejtohem gjykatës.”

Në fjalën e tij përballë gjykatës, Veliaj deklaroi se ka më shumë se pesëmbëdhjetë muaj që jeton në një realitet të paprecedentë, ku raporti midis qytetarit dhe pushtetit penal ka pësuar ndryshim drastik, duke e bërë Kushtetutën “të brishtë” përballë “forcës së pakontrolluar të këtij autoriteti shtetëror.” Që prej rizgjedhjes së tij për herë të tretë si Kryetar Bashkie, ai ka qenë subjekt i një “sulmi frontal, disproporcional dhe të pandalshëm politik, mediatik dhe juridik,” i cili kulmoi me heqjen e lirisë personale dhe pamundësinë për të ushtruar mandatin e besuar nga 160 mijë qytetarë. Edhe pas konfirmimit formal të mandatit nga Gjykata Kushtetuese, Veliaj tha se vazhdon të mbahet në “paraburgim dhe izolim.”

Ai theksoi se çdo aspekt i jetës së tij, personale dhe familjare, është kontrolluar dhe hetuar në një formë “vetingu penal” jashtë çdo standardi normal proporcionaliteti. Pavarësisht kësaj, ai pohoi se ka bashkëpunuar plotësisht me drejtësinë në çdo moment.

“Paradoksi i vërtetë,” sipas Veliajt, qëndron në faktin se ndërsa “u përdor çdo mekanizëm i mundshëm politik, mediatik dhe juridik për të më sjellë përpara drejtësisë,” tani që ai është aty me vullnet të plotë, “nuk dëshirohet një përballje reale, por një përballje e kufizuar, e kontrolluar dhe proceduralisht e cunguar.”

Kryebashkiaku denoncoi mohimin e aksesit të plotë dhe real në dosje, pamundësinë për të dëgjuar të gjitha përgjimet, komunikimin me avokatë ndërkombëtarë, informimin e opinionit publik shqiptar e ndërkombëtar, si dhe pamundësinë për të ushtruar mandatin e tij. Ai shtoi se çdo përpjekje për të ushtruar këto të drejta ndeshet me pengesa të reja proceduriale, të cilat më pas përdoren kundër tij për të justifikuar cenime të mëtejshme të lirisë.

Veliaj theksoi se pala kundërshtare, përfshirë prokurorin Dado dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë (KLP), po kërkojnë që gjykata të mos shqyrtojë thelbin e padisë së tij, duke pretenduar se ai nuk legjitimohet të kërkojë kontrollin e ligjshmërisë së autoritetit që i ka kufizuar lirinë personale, e ka vendosur në përgjim dhe ka kontrolluar jetën e tij private e familjare.

“Pra, pushteti mund të hyjë në çdo qoshe të jetës së qytetarit, por qytetari nuk paska të drejtë të pyesë: ‘Me çfarë legjitimiteti po ushtrohet ky pushtet mbi mua?'” pyeti Veliaj, duke e cilësuar këtë si absurditetin më të madh. Ai shtoi se sipas kësaj logjike, një qytetar mund të hetohet, survejohet, arrestohet dhe izolohet, por në momentin që kërkon verifikimin e ligjshmërisë së autoritetit, ai konsiderohet “rrezik për drejtësinë vetë.”

Në përfundim, Erion Veliaj i bëri thirrje gjyqtarit të japë përgjigje pyetjes thelbësore: “A është Olsi Dado prokuror i Republikës së Shqipërisë? A i është dhënë atij, në mënyrë të kushtetuese, autoriteti për të ushtruar pushtet penal në emër të Republikës së Shqipërisë?” Ai e konsideroi këtë një çështje parimore për mbrojtjen e të drejtave të qytetarëve dhe vetë idenë republikane se ligji qëndron mbi pushtetin, duke paralajmëruar se “në momentin kur kjo ide rrëzohet… rrëzohet vetë Republika.”