Veseli kërkoi lirim të përkohshëm nga Haga, Prokuroria: Të mbetet në paraburgim, aktgjykimi final më 16 shtator.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kundërshtuar kërkesën e mbrojtjes së Kadri Veselit për lirim të përkohshëm. Prokurorja Speciale, amerikania Kimberly West, ka argumentuar arsyet pse Veseli duhet të vazhdojë të mbahet në paraburgim.
Ajo ka theksuar rreziqet e frikësimit të dëshmitarëve. Po ashtu, West ka vlerësuar se caktimi i 16 shtatorit si datë për shpalljen e aktgjykimit final në Hagë nuk e bën joproporcional vazhdimin e masës së paraburgimit.
“Së fundi, caktimi i shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë për 16 shtator 2026 nuk përbën ndryshim thelbësor të rrethanave, i cili do të kërkonte rivlerësimin e vazhdimit të paraburgimit të Veselit ose do ta bënte atë joproporcional. Përkundrazi, kjo konfirmon se paraburgimi do të vazhdojë vetëm edhe për një periudhë të kufizuar prej dy muajsh, aq sa konsiderohet rreptësisht e nevojshme, duke pasur parasysh përmasat dhe kompleksitetin e çështjes, si dhe rëndësinë e akuzave të konfirmuara.
Duke marrë parasysh: (i) klimën e vazhdueshme të frikësimit dhe ndërhyrjes te dëshmitarët, si dhe vëmendjen e shtuar publike për shkak të afrimit të shpalljes së aktgjykimit; (ii) rreziqet e vazhdueshme që Veseli të pengojë zhvillimin e procedurës ose të kryejë vepra të tjera penale, të cilat janë trajtuar më sipër; (iii) pamundësinë që masat alternative ndaj paraburgimit t’i neutralizojnë këto rreziqe; dhe (iv) rrethanat specifike të çështjes, të cilat Trupi Gjykues i ka identifikuar edhe më herët, periudha e mbetur tashmë e kufizuar e paraburgimit nuk e bën atë joproporcional”, thuhet në letrën e prokurores West.
