**Prokuroria e Specializuar kundërshton lirimin e përkohshëm të Kadri Veselit: Aktgjykimi pritet më 16 shtator 2026**
Prokuroria e Specializuar e Gjykatës Speciale ka kundërshtuar kërkesën e mbrojtjes së Kadri Veselit për lirim të përkohshëm nga paraburgimi. Prokurorja Kimberly West ka paraqitur argumentet e saj përse Veseli duhet të vazhdojë të mbahet në paraburgim.
West ka theksuar rreziqet e mundshme të frikësimit të dëshmitarëve. Ajo po ashtu ka përmendur datën 16 shtator 2026, kur pritet të shpallet aktgjykimi i shkallës së parë, duke argumentuar se kjo nuk e bën joproporcional vazhdimin e paraburgimit.
Në kundërshtimin e saj, Prokurorja West ka deklaruar, mes tjerash: “Së fundmi, caktimi i shpalljes së aktgjykimit të shkallës së parë për 16 shtator 2026 nuk përbën ndryshim thelbësor të rrethanave që do të kërkonte rivlerësimin e vazhdimit të paraburgimit të Veselit ose që do ta bënte atë joproporcional. Përkundrazi, kjo konfirmon se paraburgimi do të vazhdojë vetëm edhe për një periudhë të kufizuar prej dy muajsh, aq sa konsiderohet rreptësisht e nevojshme duke pasur parasysh përmasat dhe kompleksitetin e çështjes, si dhe rëndësinë e akuzave të konfirmuara.”
Më tej, Prokuroria ka argumentuar se, duke marrë parasysh:
* klimën e vazhdueshme të frikësimit dhe ndërhyrjes ndaj dëshmitarëve, si dhe vëmendjen e shtuar publike për shkak të afërsisë së shpalljes së aktgjykimit;
* rreziqet e vazhdueshme që Veseli të pengojë zhvillimin e procedurës ose të kryejë vepra të tjera penale;
* pamundësinë që masat alternative ndaj paraburgimit t’i neutralizojnë këto rreziqe; dhe
* rrethanat specifike të çështjes, të cilat Trupi Gjykues i ka identifikuar edhe më herët,
periudha e mbetur tashmë e kufizuar e paraburgimit nuk e bën atë joproporcional.
Bazuar në këto argumente, Prokuroria e Specializuar konsideron se lirimi i përkohshëm i Veselit do të paraqiste rreziqe serioze për mbarëvajtjen e drejtësisë.
