Rreth 30 mijë shishe verë, me një vlerë totale prej rreth 5 milionë eurosh, janë vjedhur nga një kantinë prestigjioze italiane. Mediat italiane raportojnë se kjo është vjedhja më e madhe e këtij lloji e regjistruar ndonjëherë në vend.

Kompania “Marchesi Antinori”, një nga prodhuesit më të mëdhenj të verës në pronësi familjare në Itali, njoftoi se ngjarja ndodhi të shtunën në një magazinë në Toskanë. Në momentin e vjedhjes, kompania po përgatitej të dërgonte një ngarkesë për klientët jashtë vendit.

Sipas raportimeve, të paktën shtatë persona të maskuar dyshohet se çaktivizuan alarmet, fikën kamerat e sigurisë dhe përdorën mjetet e kompanisë për të ngarkuar shishet në dy kamionë të mëdhenj. Mes verërave të vjedhura ishin etiketat e njohura toskane si “Tignanello”, “Solaia” dhe “Guado al Tasso”, vlera e të cilave varion nga 150 deri në 500 euro për shishe.

Drejtori Ekzekutiv i kompanisë, Renzo Cotarella, deklaroi për gazetën “Corriere della Sera” se “një vjedhje e përmasave dhe vlerës së tillë nuk ka ndodhur kurrë më parë në Itali”.

Cotarella shpreson që autoritetet të arrijnë të gjurmojnë verërat e vjedhura. “Dy kamionë të mbushur me mall nuk mund të zhduken pa lënë gjurmë. Rrugët e Toskanës janë të mbushura me kamera,” tha ai, duke shtuar se me pak fat, disa nga shishet mund të rikuperohen. Në një intervistë për “Financial Times”, ai shprehu dyshimin se si autorët mund t’i shesin këto verëra në tregjet ndërkombëtare pa rënë në sy.

Kompania dyshon se zgjedhja e llojeve të verërave tregon se autorët kishin njohuri të specializuara ose mund të kishin pasur informacion nga brenda.

Vjedhja u zbulua vetëm të hënën në mëngjes, kur punonjësit mbërritën në magazinë. Deri tani nuk është bërë asnjë arrestim.

E themeluar në vitin 1385, “Marchesi Antinori” eksporton verërat e saj në 170 vende të botës. Vitin e kaluar, kompania regjistroi të ardhura prej 263 milionë eurosh. Këtë vit, në Itali janë raportuar edhe disa vjedhje të tjera të verërave, përfshirë dy raste në rajonin verior të Piemontes, me shishe me vlerë prej qindra mijëra eurosh.